Radio Atdhetaret Këngët më të zgjedhura
Boll
Dasma shqiptare Alban Mehmeti
Shendrit dielli në shpat e n´lugje Afrim Muqiqi
Thrret Prizreni mori Shkoder Fatmira Brecani & Aurela Gaqe
Oj molla e kuqe Fatmira Brecani & Artan Kola
Hajde mori nuse Abedin Zenuni & Fatmira Brecani
Për ju do të këndojmë Abedin Zenuni& Fatmira Brecani & Ervin Gonxhi
Potpuri Dasmash Alma Velaj & Suad Shaptafi
Mori qikë Arben Gjeloshi & Elvira Fjerza
Hajde nuse Aferdita Demaku
Nga Fritz RADOVANI: PSE VETEM SHKODRA?!
Pjesa e VI/1
AT DONAT KURTI O.F.M.
(1903 – 1983)
ISHTE DREJTOR I SHKOLLES FRETENVE SHKODER
PERBALLË
Seksionit Mbrendshëm ose Degës së Punëve të Mbrendshme SHKODER,
Aty ku ishte edhe SEKSIONI KATOLIK I SIGURIMIT SHTETIT – I VETMI NË BOTË!
At Donat Kurti shenon në kujtimet e veta:
“Gjaja ma e bukur që më ka mbetë në mendje prej kohës së fëmijnisë, ishte festa e 28 Nandorit, kur dera e shtëpisë atnore dhe të tjerat përreth zbukuroheshin me shërmashek e lule shëmshiri, ndërsa banorët e lagjes, tue mbajtë në ballë Flamurin kombëtar, delshin me kandila të ndezun e brohoritshin për festën e Pavarësisë”.
At Donati ishte klerik katolik shqiptar, doktor i shkencave, etnolog, folklorist, albanolog, poet, gjuhëtar, piktor, muzikant e nen drejtimin e Kolë Idromenos punoi dhe arkitekt.
Ka lé e asht rritë në Shkodër më 3 shtator 1903 e punoi dhe vdiq tue ecë i zbathun mbi gurt’ e Zallit Kirit pranë vllazenve besnikë të jetes së Tij!
Në vitin 1937 nga Universiteti “San’Antonio” i Romës, i jepët titulli “Doktor i Shkencave”. Asht i njohun ndër françeskanët ma të ditun dhe rreshtohët ndër shkenctarët që kanë dalë prej asaj vatre të pashterrëshme të kulturës sonë shqiptare. Thëmelet e vueme prej At Gjeçovit u ngritën nalt nga At Donat Kurti, At Bernardin Palaj, At Benedikt Dema etj., me veprat e mëdha që i lanë trashigim Atdheut, tue i përjetësue ato kryesisht në “Visaret e Kombit”.
Prof. Dr. Norbert Jokli e cilëson At Donat Kurtin: “Një ndër prozatorët ma të mëdhaj shqiptarë”.
Në vitin 1946, At Donat Kurti asht drejtor i Gjimnazit të Fretënve “Illyricum” të Shkodrës. Asht drejtor i atij Gjimnazi që asht cilësue vatra prej ku përhapeshin shkëndijat e atij atdhetarizmi dhe të asaj kulture shqiptare, mbi të cilat u ndërtue përjetësisht binomi “Fé e Atdhé”.
Prof. Simon Pepa, shkruen: “Dhe tani, në 55 vjetorin e botimit të “Iliadës” Shqiptare të gjithë ata që e mblodhën dhe e botuan nuk janë më. Edhe Kuvendi Françeskan ku punuan, është këthyer në gërmadhë.” (Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare. 1944-1990. fq. 30, Shkoder).
Asht pragu i ngjarjëve të zeza që dukej se po vinin. At Donati, shkon në Tiranë aty nga gjysma e tetorit të vitit 1946 për me takue Nako Spiron, dhe me bisedue në lidhje me problemet financiare të shkollës. Ky jo vetëm që nuk takohet me té, por edhe mërrinë me kuptue se jo vetëm shkollës por edhe mësuesve po u vinte fundi. Me të ardhun në Shkodër, At Donati, kryen aktin burrnor tue thye vulën e ftohët të shkollës, për mos me u ra në dorë komunistëve kështu, që, i pret mundësinë me falsifikue dokumenta të atij Gjimnazi. Dhe nuk asht larg 11 nandori 1946, kur merr fund shkolla, kuvendi, muzeu, fretnit dhe Kisha, vendi ku Sigurimi komunist futë armët dhe akuzon Fretnit për këtë akt të ultë që u krye në Kishën Katolike Shqiptare, në të gdhimë të datës 17 nandor 1946, nga vetë Sigurimi. Me datën 12 nandor asht ndër të parët që arrestohet At Donat Kurti, me akuzën e formimit të Partisë Demokristjane, të futjes së armëve në Kishë, edukator i rinisë me frymën fashiste, një ndër bashkëpuntorët e “Hyllit të Dritës”, që ka lavdëruar fashizmin etj. Akuzat e rreshtojnë ndër ata klerikë që nuk pritej prej askujt shpëtimi i kokës së tij. Ai ishte i sëmurë me një ulçëra kronike nga e cila ka vuejt gjithë jetën. Ndoshta, gjendja shëndetësore e randë në birucat e Sigurimit, u ka krijue përshtypjen xhelatëve se “At Donati, nuk e ka të gjatë”, prandej po e lamë të vdesin ndër burgjet e mnershme që At Donati ka vuejt dënimin e përjetëshëm, mbas pretencës së prokurorit që kërkoi pushkatimin e tij.
Hetohët nga kriminelët Nesti Kopali, Zoi Shkurti, Qako Prokopi, Hysni Ndoja etj. Qëndron kokfortë, ashtusi kishte edhe natyrën e tij para armiqve, nuk thehët as nga frika, as nga torturat por asht ballhapët dhe trim para të gjithë presionëve.
Asht i vetëdijshëm se e pret plumbi.
At Donat Kurti deklaron para Trupit Gjykues, i përbamë nga: Kryetar, Misto Bllaci, antarë, P. Alizoti, A. Koroveshi dhe prokuror, Namik Qemali: “Nuk kam punue për fashizmin asnjëherë.., tek Hausdingu kemi shkue me At Mati Prennushin për me kërkue lirimin e kuvendit që na kishte zanë ushtria gjermane.., herët tjera At Matia ka shkue vetëm tek gjermanët, mbasi dinte vetë gjermanishten e merrësh vesht direkt…
Me zbritjen e partizanëve në Shkodër, kemi mbajtë qëndrim të ftoftë për 4-5 muej mbas vëndosjes së Pushtetit.
Unë për vehten teme e kam kuptue se ky Pushtet ishte komunist dhe, se, po bahej rrezik për Fenë… Monsinjor Gjini, me t’u emnuem Delegat vitin e kaluem i ka drejtue një memorandum delegatit françeskan, ku kërkohej të respektohën të drejtat e katolikëve nga qeveria, mbasi ato të drejta që i takojnë po shkeleshin çdo ditë… Për armët në Kishë nuk dij gja… Me rastin e 2 dhetorit 1945, unë kam dalë për votime, por votën e kam hjellë në arkën boshe. Natyrisht, këtë e kam ba si kundërshtar i rregjimit komunist… një mikroskop, një aparat fotografik, 20 filma, një makinë shkrimi, një gramafon dhe një arkë me libra e dorëshkrime i kam mëshef në një odë e cila asht nalt pa shkallë, dhe po të mos të të çojë kush, nuk e gjenë dot… Për né, e quej ma të rrezikëshëm qenjen e këtij Pushteti këtu, sesa okupacionin italian e gjerman… Letrën e Padër Gjon Shllakut me pseudonim “Forca Atomike” e kam ruejt për dokument, mbasi ajo tregon qëndrimin e Padër Gjon Shllakut, në burg…. Nuk e ndiej vedin fajtor…”(Dosja 1303, Arkivi M.M.Tiranë) Kështu edhe At Donati, me këtë grup ku bante pjesë Don Anton Muzaj, Don Mark Hasi, Viktor Kujxhija, etj., ku, spikatë qëndrimi i Anës Daja dhe Liza Palit para prokurorit katil Aranit Çela njëditë para gjyqit, e vazhdon skenarin e filmit jugosllav “Dosja 1302/2-A”, dhe kjo asht e kuptueshme nga vazhdimi i numrit “Dosja 1303 At Donat Kurti…” (Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme Tiranë, 1998).
Në ndihmë të Historisë së vertetë të zhvillimit arsimit dhe kultures Shqiptare, po Ju risjelli këte punim të Këtij Dijetari të Shkencës sonë, në këte pervjetor të 120 që ka lé:
VEPRA KULTURALE E ELEMENTIT KATOLIK NË SHQIPNI
Aty-këtu ndeshim ndër rrënime të kishave, të ledhëve, të qytetzave e t’ urave të herëshme. Gojdhana na i shumon përgjithëvend e për çdo katund. Ato pak viza arkitekture na diftojnë madhninë e atyne mbeturinave të shenjta; do copa afreskësh me ngjyemje të gjalla na tregojnë dorën e mësueme të piktorëve, qi u rritën në vendin tonë.
Ndonjë kumbonë piramidale me mbishkrim të thjeshtë e me kumbim të tingllueshëm na kallxon përparimin e mjeshtrive edhe në Shqipni. Ndonjë mërmer i zgavrruem prej dalte do t’ na flasë për kohë të herëshme; por asht thërmue prej mizorisë s’anmikut e të motëve e, s’ na ep kurrfarë drejtimit. Tjetër nuk gjejmë përveç lavdeve e nderimëve, me të cillat të tonët e të huejt përshëndesin ndër shkrime të veta kulturën e katolikëve Shqiptarë.
Arti rromanesk në Dalmaci pat shkasin ma të madhin e të parët apostuj prej Shqipnie.”
Këta ndodhën sa mbretnonte paqa në vendin tonë, pse, si nisën m’ u dyndë shqiptarët katolikë, gjithë përparimin, kulturën e influksin e tyne kah Dalmacia, Gelcich e përmbledhë me këto fjalë:
“Sa familje, që sot thirrën dalmate, rrjedhin prej të ikunve t’ atyne kohve! Sa sende, që sot shumica i mban për arte e vepra dalmate, nuk janë tjetër veç krijime e vepra të daluna prej mjeshtrisë e zhenisë shqiptare!”.
Prap Prof.Gelcich, tue ra në bisedë me At Gjergj Fishtën, përmbi artët e herëshme në Shqipni, dëshmoi, se, veç mbrenda një shekullit të vetëm, tue nisë gjatë Bregut të Bunës e deri në qytet të Djoklesë, afër Podgoricës, njihëshin 82 piktorë në za, të cillëve u dihej edhe emni.
Jeta në robni, që po marrim me përshkrue, do të thirret për katolikë kohë heroizmi, pse, jo veç, u lyp heroizmën me shpetue ndiesitë kombëtare në mes të një trathëtisë e të një robnisë kombëtare, por, në mes të një trathëtisë e të një robnisë së poshtër.
Të parat shkolla, mbas humbjes s’ autonomisë në Shqipni, kjenë përsa dimë na, tri:
Shkolla e Pëllanës, e Blinishtit dhe e Shkodrës. Në vj. 1638 P. Hiacinti a Sospitello O.F.M., italjan me fis, por shqiptar me zemër, pat guxim me iu përveshë për të mirë të vendit një punës në vështrim të plotë kulturor, tue çilë shkollën fillore në Pëllanë, asokohe vend mjaft i banuem. Kje ndjekë me zell prej vendasve e i mërrijti zani deri ndër katunde të largëta të Zadrimës, qi memzi pritshin me i çue fëmijët e vet.
Numuri i nxanësve të jashtëm pat mërrijtë deri në 25 e, këta na japin shkas me nënkuptue, se do të kenë pasë edhe ndonjë konvikt. Dijmë prej dokumentave, se përveç uratëve mësonin edhe mësime letrare d.m.th. mbahët deri diku një shkollë e mesme pa përjashtue gjuhën e vendit. Përparimi kje aq i madh, sa i terboi Turqit, të cillët mbas 9 vjetësh e rrënuen fare.
Në vj. 1697 kje çilë rishtas. Se deri kur vijoi, nuk dihët; dokumenti mbaron, tue thanë për te, se: “Ka gjasë se gjindët edhe sot” (1702?).
Ndiqej prej ma se 50 nxanësash e posë këndimit e shkrimit mësonin edhe landë të tjera; edhe gjuha latine prej atyne që donin m’ u ba priftën mësohej n’ at shkollë; por anmiqtë ishin të panumur e në vjetin 1640, drejtorin e kësaje shkollë e gjejmë në burg tue pësue mundime të mëdha.
Një që i ka përparasyshë pështjellimet e atyne kohve, mëninë posaçe kundra katolikve e kundra çdo shejit kulturor, mund të marrin me mend, se ç’ vlerë patën keto shkolla për shpirt të shqiptarit, kjoftë edhe vetëm porsi hap kah qytetnimi.
Por kush mundët mandej me dyshue, se në këto shkolla nuk flitej shqip?
Në ç’mënyre katundari i padishëm i ndiqte me zell, në kje se s’merrte gja vesh?
Veprat, që na kanë mbetë prej atyne puntorve të palodhun, prej atyne mësuesve të kujdesëshëm, na dëshmojnë kjartë, se ato shkolla nuk kjenë mjete të hueja për me influencue në shpirt të popullit shqiptar simpati e parti; por patën edhe për qellim drejtpërdrejtë të naltuemit e moralit e shkasin e ka kultura, e këta gadi tash 300 vjet.
S’ do harrue, se ndër Misionarë, ky kje ma i pari që ua lëshoi kushtrimin njerëzve të mëdhaj, e nëpërmjet tyne Evropës, për indipendencë të Shqipnisë. Mbas gjithë këtij vëprimi kultura katolike nisë me marrë zhvillim të haptë në vendin tonë.
Balli i përulun i shqiptarit në robni xen me njoftë e me kujtue kunorën që dikur e rrëthonte, nxitët, kërkon me punue, me përparue e me u mëkambë.
Civila e kler dora -doras duen me e përtri popullin e me të përtrimë të popullit, përtrijnë kombin. Ky entuzjazëm vërehët posaçe në shekullin e 19-të.
Veç në Shkodër mbahën mend 12 shkolla fillestare: 8 për djelmë e 4 për vajza.
Mjetët ishin të vogla e primitive, prandaj nuk asht për t’ u shikue gjithaq përparimi a dobija që nxirej prej tyne, sa inicjativa, hapi heroik, zelli për të hapun kulturën.
Një mësues përfaqësonte një shkollë në vedi. Endè sot, si në shenj evarije, kujtohën me andje emnat e tyne prej popullit katolik shqiptar.
Gegë Kodheli, Gjergj Benussi (1836), Gjon Shkrumi, Zef Kamsi, Jaku i Tushit të Mark Krajës (Speci), Shor Markja, Don Pepini, Don Engjëll Radoja, Don P. Babi.
Prindët me andje pritnin me i çue fëmijët e vet në shkollë, madje, u zotnonin me pague edhe mësuesin. Edhe jashta Shkodre çilën shkolla tjera katolike në gjuhë shqipe.
Kje ndihmue e kje mbrojtë prej Episkopatit Shqiptar. U përshëndet me gëzim prej mbarë popullit katolik, porsi ogur i mirë, porsi vatër kulturët, porsi shkëndi lirijet.
Mësimet erdhën tue u përmirësue përherë e ma shumë. Që ndër vjetët e para kje ngritë edhe një salon argëtimi e konferencash, ku, ndaheshin çmime, që ishte një rasë gëzimi e hareje, jo veç për fëmijë, por për mbarë katoliçizmin, pse aty ndiheshin vjerrsha të bukura, kangë të tingëllueshme e fjalë e mësime t’ urta.
Kohë mbas kohe nxanësat e dikurshëm zunë vendin e mësuesave të vet: Shqiptari mërrinë me pasë aq kulturë, sa me drejtue e me organizue ai vetë vepra për të mirë e përparim të kombit.
Porsi kanga e zogut t’ verës,
Qi vallzon n’ blerim të Prillit,
Porsi i ambli fllad i erës,
Qi lmon gjit e drandofillit,
Porsi vala e bregut t’ detit,
Porsi gjama e rrfes’ zhgjetare
Porsi ushtima e nji termetit
Njashtu asht gjuha e jonë shqiptare
Pra, mallkue njaj bir Shqiptari
Qi ket giuhë të Perendis’
Trashigim, qi na la i Pari,
Trashigim s’ ia len ai fmis’;
Edhe atij iu thaftë, po, goja,
Qi e perbuzë ket gjuhë hyjnore;
Qi n’ gjuhë t’ huej kur s’ asht nevoja,
Flet’ e t’ vetën len mbas dore.
***
Mësimet ishin të rregullueme mbas programit të gjimnazëve t’Austrisë e në vj. 1905, shkolla u ba krejt në gjuhë shqipe.
Që prej vjetës 1914, fillojnë me u ba hapat për të çilun të një gjimnazi për civila.
Megjithse kombësi e huej, Jezuitët u munduen edhe për lavrim të gjuhës shqipe.
Numri i librave shqip e në gjuhe të hueja kapet në 52.
U ndihmonin pjesërisht prej mbretnisë Austro – Hungare e ma vonë edhe prej Shtetit Shqiptar.
Edhe në këte pikë katolikët e Veriut kanë parapri.
Vazhdon Pjesaa e dytë e këtij materiali.
Melbourne, 30 Qershor 2023.
Written by: pradm
Copyright © Radio Atdhetaret - Për të gjithë shqiptaret kudo që janë