LETËRSI

At Justin Rrota (17 shkurt 1889 – 20 dhjetor 1964)

todayFebruary 13, 2025 1

Background
share close

Justin Rrota, lindur Ndoc Rrota (Shkodër, 17 shkurt 1889 – 20 dhjetor, 1964) ka qenë frat françeskan, arsimtar, filolog dhe historian shqiptar i letërsisë, ekspert i autorëve të hershëm në gjuhën shqipe. Pas marrjes së pushtetit nga Lëvizja Nacional-Çlirimtare pas Luftës së Dytë Botërore, ndryshe prej shumë sivëllezërve të tij, i mbijetoi përndjekes nga regjimi komunist, por iu kufizuan mundësitë e botimit.

Është vëllai i vogël i diplomatit Kolë Rrota, piktorit Simon Rrota dhe fotografit e folkloristit Gjon Rrota.

U lind në Shkodër, i pagëzuar me emrin Ndoc, ishte djali i tretë i Gjush Rrotës dhe Marie Vjerdhës.Mësimet e para i mori në shkollën shtëpiake të Tinës së Nikës në Serreq. Pastaj pesë klasë fillore e një klasë qytetëse i kreu te françeskanët. Më 22 gusht 1902 hyni në kolegjën françeskane, ku ishte drejtor At Gjergj Fishta. Më 1904 veshi zhgunin e rishtarit për frat në Rubik e qé me këtë rast që iu dha emri Justin. Mbas një viti kaloi në Troshan ku studjoi teologji.

Gushtin e 1907 shkoi në Villach (Korincie) të Austrisë për studimet teologjike. Por u kthehet pa mbushur motin për arsye shëndetësore dhe i kryen studimet në Shkodër nën drejtimin e Fishtës dhe Marlaskajt. Shugurohet meshtar me 11 gusht 1914 në Kishën e Fretënve, në Gjuhadol.

Françeskani At Justin Rrota qe personalitet e dijetar i shquar i kulturës shqiptare dhe i letrave shqipe. Veprimtaria e tij shkencore rrok një periudhë gati gjysmëshekullore, duke kryer detyrën si klerik françeskan, si një shkencëtar i mirëfilltë dhe mësues i gjuhës amtare. Pra qe studiues e lëvrues i shquar i gjuhës dhe i studimeve shqiptare.

Gjatë viteve 1911-1917 shërbeu si profesor i gjuhës shqipe e i besimit në shkollën françeskane në Shkodër. Korrikun e 1917, në kohën e pushtim-administrimit austro-hungarez, çeli shkollën e fshatit Plan. Kur filloi botimin gazeta “Posta e Shqypnís, u bë redaktor i së përkohshmes. U emërua profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, si dhe i gjuhës latine në kolegjin Illyricum të françeskanëve. Më 1925 u prek nga paraliza progresive, kjo nuk e pengoi në punën e tij që e vazhdoi me këmbëngulje.

Më 1929 solli në Shqipëri tri kopje të fotografuara të Mesharit të Buzukut, duke qenë edhe studjuesi më i hershëm i tij. Më 1940, Instituti i Studimeve Shqiptare në Tiranë e zgjedh anëtar të tij në cilësinë e lëvruesit të gjuhës. Në periudhën e mëvonshme, veprimtaria shkencore e Justin Rrotës bie, rrjedhojë e ardhjes në pushtet të regjimit komunist dhe të sëmundjes së rëndë që e shqetësonte prej vitesh.

Kontributi i At Justinit ishte i shumanshëm, posaçërisht për studimin e gramatikës shqipe, të sintaksës, morfologjisë, të historiografisë sonë letrare, e në veçanti për njohjen dhe studimin e autorëve tanë të vjetër, si për Buzukun, Matrangen etj. Siç thamë ai qe i pari që më 1929 solli në Shqipëri tri kopje të fotografuara të Mesharit të dom Gjon Buzukut nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit. At Justin Rrota qe rregulltar françeskan tejet i durueshëm, i dashur dhe i përshpirtshëm, i dhënë mbas misionit françeskan, mbas punës e uratës, gjithnjë për Fe e Atdhe. Ndërroi jetë në Shkodër, më 20 dhjetor 1964, në moshën 75-vjeçare.

Ja diçka nga veprat e At Justin Rrotës

1. Don Gjon Buzuku (1555), pjesë të zgjedhura e të komentuara për shkolla të mesme, botuar në Hylli i Dritës VI, pastaj në Shkodër 1930 dhe 1938, në Shkrimtarët Shqipëtarë Tiranë 1941.
2.Ma të para kopje të fotografueme të Buzukut, Nëndori II, Tiranë 1941, n.3, faqe 76.
3.Hulumtime dhe shënime mbi Gjon Buzukun, Buletin 3, Tiranë, 1956:173188.
4. Rreth gramatikologjisë shqipe, Shkodër 1923, 1933.
5.Letratyra shqipe, Shkodër 1925, 1934, 1936, 1944.
6.Analizimi i rasave t’emnit, Shkodër 1931.
7.Sintaksi i shqypës, Shkodër 1932, 1942, 1944.
8.Për historinë e alfabetit shqyp, Shkodër 1936, Prishtinë 1968.
9.Don Lukë Matranga, shkrimtari ma i vjetri i italoshqiptarvet, Shkodër 1931, 1939.
10.Rreth votrës I, novela shkodrane, Shkodër 1945.

At Justi Rrota ka botuar edhe libra të tjerë me përmbajtje fetare e shpirtërore, si dhe studime të shumta filologjike e gramatikore në revistat dhe fletoret e kohës si Hylli i Dritës, Zani i Shna Ndout, Bijat e Zojës etj me emër të plotë. Në dorëshkrim janë Gjuha e shkrueme shqipe (850 faqe), Monografia e plotë e gramatikës, leksikologjisë, fonetikës, e morfologjis në gjuhën shqipe (dorëzuar Institutit të Gjuhësisë në Tiranë). Studime janë botuar edhe pa emër të tij nga pseudogramatikologët e kohës. Vdiq dhe u varros në Shkodër më 21 dhjetor 1964.

Në qendër të interesave të tija filologjike qenë veprat e para letrare të gjuhës shqipe, dhe është falë punës së tij që autorët e hershëm të shqipes nisën të njiheshin nga gjerësia e lexuesve.Ka qenë ndër të parët studjues të Mesharit të Buzukut, për të cilin shkroi dhe botoi artikuj të shumtë.

Pas vitit 1990, me përmbysjen e regjimit në fuqi, puna e tij vlerësohet, duke i dhënë titullin “Mësues i Popullit” (1994) me motivacionin: “Mësues i devotshëm e plot pasion. Ka punuar me përkushtim, duke dhënë një kontribut të shquar si gjuhëtar dhe studiues”. Një vit më vonë, në 1995 mori titullin tjetër “Punonjës i shquar i shkencës dhe i teknikës”. Edhe Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” e nderoi me titullin “Profesor nderi” (1994).

Written by: pradm

Rate it