HISTORI

Kujtimet e irlandezit Robert W. Graves mbi shqiptarët

todayMarch 2, 2025 1

Background
share close

Diplomati dhe shkrimtari irlandez Sir Robert Windham Graves (1858-1934) është një personalitet britanik i fundit të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX, i cili kishte njohuri mjaft të mira për historinë e Ballkanit dhe për popujt e këtij gadishulli të trazuar. Fati e solli që ai ta njihte nga afër realitetin shqiptar, të vizitonte shumë qytete shqiptare dhe të njihej me shqiptarët që nga Mitrovica e Prishtina e deri në Manastir e Janinë. E njihte historinë e vjetër dhe të re të Shqipërisë, Kishte njohuri për Skënderbeun dhe Ali Pashë Tepelenën, Kishte lexuar librin me përshtypje udhëtimi e piktura të mikut të shqiptarëve Edward Lear. E njihte mirë veprimtarinë e mikes së madhe të shqiptarëve Edith Durham, me të cilën u takua disa herë gjatë qëndrimit të tij në Shkodër në mars 1912. U takua në Orosh të Mirditës me Preng Bib Dodën, Kapidan Marka Gjonin dhe Imzot Preng Doçin. E njihte prej kohësh Esat Pashë Toptanin, qysh më 1908-9 në Stanboll, kur Esati ishte i përfshrë në lëvizjen xhonturke dhe ishte bërë anëtar i Parlamentit si deputet i Durrësit. Sipas studjuesit amerikan George W. Gawrych,  më 27 prill 1909, në krye të një delegacioni parlamentar prej 4 vetash Esat Toptani i kishte komunikuar direkt Sulltan Abdyl Hamitit rrëzimin nga froni duke i thënë “kombi të ka çfronësuar”.[1] Graves-i dinte marrëdhëniet e tensionuara midis Esat Pashës dhe Ismail Qemalit dhe e njohu nga afër Esat Toptanin duke qenë në shoqërimin e tij për 2-3 ditë nga Lezha në Elbasan.

Robert W. Graves-i kishte lindur në Parknasilla të Irlandës jugore më 6 korrik 1858 në një prej familjeve më të vjetra me origjinë angleze. Fisi Graves i Gloustërshërit të Anglisë vinte nga mjegullnaja normane e shekullit XII, në kohën e Mbretit John, vëllait të Rikard Zemërluanit. Pastaj, rreth 375 vjet më parë, më 1647 Oliver Kromuelli i dhuroi një Kolonel Graves-i, komandant i një regjimenti kavalerie, një çiflig të madh në jug të Irlandës për trimërinë e treguar nën komandën e tij. Kolonel Graves-i u vendos përfundimisht atje dhe pinjollët e kësaj familjeje patën vazhdimësi deri në ditët tona duke nxjerrë shumë burra të shquar – diplomatë, ushtarakë, shkrimtarë, profesorë universiteti dhe klerikë të lartë. Motoja e familjes Graves ishte “Aquila non captat Musca” (“Shqiponja nuk e ul veten për të kapur miza”). Robert Graves-i është një nga pasardhësit e shumtë të kësaj familjeje të famëshme anglo-irlandeze. Ishte i biri i Charles Graves-it, Profesor i Matematikës në Universitetin e Dublinit për më se 20 vjet, pastaj Peshkop i Limerikut. Pasi u diplomua në Kolegjin Marlborough të Wiltshire-it në Angli, Robert Graves-i e filloi karrierën e tij si student përkthyes në Stamboll më 1879 dhe pas pak kohësh hyri në shërbimin diplomatik. Pjesën më të madhe të jetës e kaloi me shërbim diplomatik të qeverisë britanike në disa vende të Perandorisë osmane në Lindjen e Afërme. Siç pohon vetë, që nga fillimi i viteve 1890 për më se 20 vjet kishte qenë konsull në Adrianopojë (Edirne), më 1895 ishte konsull i përgjithshëm në Erzurum. Gjithashtu punoi si konsull i përgjithshëm në Egjipt, Kretë e Bullgari. Në pranverën e vitit 1912, ndërkohë që Roberti ishte diplomat në Ambasadën Britanike në Stamboll dhe merrej me çështjet ekonomike duke qenë edhe këshilltar financiar i qeverisë turke, caktohet nga qeveria turke si anëtar i komisionit të nivelit të lartë prej 7 vetash me Mision special në Shqipëri (përfshirë Kosovën) dhe në Maqedoni.

Prof.Dr. (Emeritus) Refik Kadija

Written by: pradm

Rate it