HISTORI

At Gjon Shllaku O.F.M. françeskan ne Shkoder

todayFebruary 13, 2025

Background
share close

At Gjon Shllaku lindi ne Shkoder me 27 korrik 1907. Ishte frat franceskan, mesues, drejtues i revistes Hylli i Drites, publicist me nje interes te vecante per shkencat humane dhe … 

At Gjon Shllaku O.F.M.

Nji komb qi lindet ka nevojë për fatosat qi desin. Por fatosat qi desin nuk kanë ç’të bajnë në nji komb, qi i harron dhe i përbuzë.

Kështu do të shprehej drejtuesi i revistës “Hylli i Dritës” At Gjon Shllaku në numrin 3-4 të kësaj reviste.

“Tjetërkund, njerëzit e idealit, ne u mbytshin për së gjalli nderohen për së dekuni. Ndër ne ata mbyten dy herë; edhe harrohen”.

Apostrofime në dukje të thjeshta, parandjenja dhe profeci që tingëlluan deri vonë si tepër të trishta. Në mëngjesin e zymtë, të vrenjtur dhe me shi shkodre të 4 marsit 1946 zemrat e shkodranëve u dridhen nga breshëritë e automatikëve dhe jehonat që vinin nga Zalli i Kirit, vendi i namun ku pushkatoheshin “mëkatarët” e kohës së kuqe. Nën plumbat e skuadrës ekzektuese ranë njëri pas tjetrit përdhe trupat e shtatë të dënuarve me vdekje, ndër të cilët katër ishin klerikë katolikë. At Gjon Shllaku qe njëri ndër ata. Nuk ishte hera e parë që në të zbardhur të dritës në qytet të dëgjoheshin të shtime të tilla me ushtimë të “xanun” si ato që bien në mish njeriu. Në zakonin e fituar, rishtazi pushkatimet e heretikëve bëheshin në orët e para kur njerëzit ishin ende në shtroja.Pas pushkatimit zakonisht trupat e të vdekurve liheshin ashtu njëri mbi tjetrin si të ishin thasë plehu në dispozicion të qytetarëve për tërë ditën. Në muzg, ashtu grumbull siç ishin, hidheshin në një gropë të përbashkët që mbulohej mirë, mundësisht të mos mund të dallohej më. Ky qe fati që parandjeu në harresën e tij edhe At Gjon Shllaku…

“Ne nesër së bashku edhe me nji koleg temin shkume kinse për me shetitë, kah vendi i pushkatimit me qëllim që të vërtetojmë se ku i kishin vorrue. Kurrkund shenjë grope dhe as dheu të çuem rishtaz. Ma vonë merrme vesh se gropën e kishin çelë natën, afër shtratit të lumit, në zàll që e mbulon lumi mbas shinave. Dheun tepricë e kishin tretë dhe gropën e kishin rrafshue me kujdes me fundrrì të qytetit: teneqe, kutija e zhele në mënyrë që të mos dukej shejë dhe as gjurmë për krimin e kryer”. Kështu shprehet në kujtimet e tij për At Gjon Shllakun, Pal Duka-Gjini.

Në Shkodër At Gjon Shllaku njihet si një ndër klerikët katolikë më intelektual. Filozof, gazetar, profesor edhe politikan. Në historinë e mendimit demokristian At Gjon Shllaku thuhet të jetë i pari kryetar i Partisë Demokristiane Shqiptare. Madje duket se kjo ka qenë edhe një ndër shkaqet kryesore që e çuan atë drejt fundit dhe rrokames të pashmangshme. Regjimi nuk mund të pranonte në rrjedhën e kohës ata që ishin në oponencë ideologjike me të. Le që për njerëz të tillë si At Gjon Shllaku ishte i majtueshëm fakti se qe prift dhe që bënte pjesë në një elitë të zgjedhur intelektualësh.

Eruditi që mbeti në histori.

Të vjetrit e kujtojnë shumë mirë, megjithëse ai nuk është më që nga fillim marsi i vitit 1946. Duke kujtuar takimin e parë të tij me At Gjon Shllakun, At Zef Pllumi tregon: “Ishte një burrë i ri, rreth të tridhjetave, por i plakun para kohe. I shkurtë, i thatë, i zbehtë, me nji palë syze të zeza që i mbulonin gjysën e fytyrës që qeshte”.

Jo i bashëm në trup. Me shumë i mesëm se i gjatë. Me një paraqitje të përvuajtur. Fytyrë e një frati të zakonshëm që pamjes të jashtme nuk i jep as rendësi dhe as peshë. I këndshëm në të folur dhe plot njerëzi. Fytyrën dhe formën e kokës karakteristike të rracës ilire. Ballin të shpërvjelur dhe flokë të rallë. Kështu e mbajnë mend në kujtimet e tyre ata që e njohën At Gjon Shllakun.

“Dinte me u mbajtë në shoqni dhe në çdo ambjent a rend shoqnuer, ruente të pacenueshëm dinjitetin e meshtarit, zotnisë e filozofit prakticien dhe sociologut, pasurinë e nji kulture të hapun dhe të thellë. Kishte një mbamende të fortë dhe refleksive. Lexonte shumë dhe shka lexonte e thandronte në mendje me kollajsi të çuditshme” – thotë për të Pal Duka-Gjini.

Njohës i shkëlqyer i filozofëve më të përmendur të kohës; italianë, francezë dhe gjermanë nga ku duket se ka “derivatuar” te ai edhe një farë interesi që mbase për momentet kur u shfaq mund të quhej i imponuar për politikën.

I gatshëm për të diskutuar mbi çdo çështje të diturisë njerëzore dhe letrare. Dinte të sillej me të gjithë pavarësisht se kishte parapëlqim intelektualët dhe të zgjuarit e kohës. Megjithatë fliste përzemërsisht njësoj me të gjithë. Në Shkodër kujtohet miqësia e tij me doktor Shirokën i cili në bisedë me të, kur vinte rasti, përdorte terminologjinë e ngushtë të zhargonëve të shkencës humane të njeriut. Po kështu, mbahet mirë në mend edhe një episod tjetër… Gjatë një vizite të një gupi albanologësh italianë në Shkodër, At Gjon Shllaku është i zoti i shtëpisë. Në listën që kërkohet të bëhet për një dhuratë me libra, At Shllaku vërteton të qenit një njëri erudit, me kulturë dhe shije letraro-ditunore. At Gjoni në Liceun Françeskan, ku jepte mësim, konsiderohej si profesori më i përgatitur. Në kohën e vet thuhej se ishte njeriu më i lartë i kulturës shqiptare.

“E kam pasë profesor në liceun “Illyricum” dhe na jepte mësime në fiziko-kimi, në frëngjisht dhe në ekonomine politike. Ishte profesori më simpatik. Në klasë na fliste për marrjen e Bastijes, që ndryshoi botën. E kuptonim na?.. Sigurisht që jo…” – thonte At Zef Pllumi.

Në drejtimin e revistës “Hylli i Dritës” aftësia e padër Gjonit spikati shkëlqyeshëm. Shpejt revista u shndërrua në një forum kombëtar me pjesmarrje të personaliteteve më të shquara të kultures si E. Çabej, L. Mirdita, K. Naraçi, F. Alkaj, P. Kaçinari etj. Ai mblodhi rreth vetes pendat më të mprehta të kohës. Në vatrën që “inicioi” Fishta i madh, ku u shkri platforma e një Shqipërie të lirë dhe të përparuar, u ulën në kuvend si dikur pleqt e kanunit dhe shkrimtarët e rinj të krishterë ose jo, por gjithmonë adhurues të një Zoti. Ai pranoi ide moderne e përparimtare, por pa iu shmangë parimeve kristiane e kulturës shqiptare. Në vitin 1945 intelektualët shkodranë organizuan konfrencën për krijmmin e Shtëpisë të Kulturës.

“U ftua edhe Padër Gjoni, gjë që ai e përqafoi me entuziasëm. Në atë konferencë që e zgjodhi Padër Gjonin kryetar nderi, ai mbajti fjalimin përurues, fjalim që do të mbetët i paharruar për auditorin e asaj dite” – thote kështu Zef Zorba.

Të gjithë e njihnin Padër Gjonin dhe ishin të bindur se me nismëtar të tillë, kultura, ekonomia dhe arti do të lulëzonin në Shqipërinë e pavarur.

Për fe e për atdhe.

Në lajtmotivin e klerikëve është e njohur edhe jeta e martirizuar për fe dhe për atdhe. Një jetë të tillë pati edhe martiri që njihet me ermin Gjon Shllaku. I lindur më 27 korrik 1907 në Shkodër, djep i kulturës dhe qendër e kristianizmit, ai pati emrin Kolë në pagëzimin e tij. Ende i vogël hyri në kolegjin Françeskan. Në tetor të vitit 1922 shugurohet prift dhe filloi jetën rregulltare duke ndërruar edhe emrin e pagëzimit në Gjon. Diplomohet në Hollandë, Belgjikë në Univeristetin e Levain ndërsa në Francë në Universitetin e Sorbones. Kryen edhe një kurs për gazetari çka do të jetë një ndër synimet e tij kryesore në drejtimin e revistës “Hylli i Dritës”. Simbas traditës së Françeskanizmit në Shqipëri dhe si pasojë e edukatës të fituar nga më të mëdhejtë me zhgun si Bardhi, Gjecovi, Harapi, Fishta dhe Rrota që ishin mësuesa në shpirtë dhe në zemër Padre Gjoni ndikoi tek të rinjtë jo veç ndjenjat fetare, por edhe kulturën e shëndoshtë dhe ndjesitë kombëtare. Edhe atij si etërve të Provincës Françeskane i dha jetë binomi “Për fe dhe për atdhe”. Ajo që e dallon në misionin e tij si meshtarë e françeskan është penda dhe shkrimi. Këtu dha provat e para të një zotësije të rallë dhe të një talenti të veçantë. Shkroi pak si pasojë e kohës të shkurtër e aktivitetit të tij dhe rrethanat e vështira me të cilat u gjet në momentin që hyri në radhet e shkrimtarëve.

Mallkimi i kuq dhe politika e fesë.

Në vitin 1946 për klerikët e krishterë në Shqipëri shënohet akti i parë dramatik i asaj tragjedie e cila dalëngadalë do t’a çonte kishën e këtij vendi në asgjesim të plotë.

“Ditë e më tepër rëndoheshin retë e zymta që lajmeronin stuhi shtelter nër ne. Me kujtohet si sot trishtimi që na kishte mbulue të gjithëve dhe më ka mbetë në mend gjëndja shpirtërore e Padër Gjonit… tash më takon mu… por mjerisht s’jam as i pari e as i mbrami. Të lutemi që Zoti të na japë forcë dhe zemër për të përballu martirizimin” – thotë kështu Pal Duka Gjini.

Akuzat qenë gati. Ai ishte me ideale demokristiane.

Sipas disa treguesve, në fund të vitit 1945 qe dukur në Shkodër Sejfulla Maleshova. Thuhet dhe madje është e dokumentuar që ai ka biseduar me Padër Gjon Shllakun për krijimin e një Partie Demokristiane. Këto ishin argumentet që u sollën në gjyqin ndaj priftit të nderuar. Një nga përkthyeset në shërbim të Enver Hoxhës tregon se ka dëgjuar një bisedë të E. Hoxhës me një ambasador jugosllav: “E mbytëm Padër Anton Harapin e me këtë kemi plagose për dekë Klerin Katolik”. Sipas rrëfimit të gruas, serbi i është përgjigjur: “Po! Po! Keni ende gjallë Padër Gjon Shllakun i cili peshon shumë. Duhet sipas porosisë të qeverisë seme të zhdukni Shllakun dhe të shkatërroni në kul dhe themel çerdhen e klerit katolik në Shkodër”.

Atë e morën në shkurt të vitit 1946. E nxorën nga klasa ndërsa jepte mësim. Madje nuk kish arritur të shkruante as temën në regjistër të klasës. Atë natë në Radio Shkodra u dha lajmi se “Krimineli Gjon Shllaku qe kapë duke kaluar kufirin për t’u arratisë”. Që nga ai moment ai ndërroi sallën e mësuesit me dhomën e torturave.

“Kur ne të tjerët kryem mësimin në dhjetë minuta në gojë të sejcilit kaloi fjala; E pat edhe Padër Gjoni” – tregon Duka Gjini.

Tani P. Gjoni bashkohej me viktima të tjera në pritje të nxirren në arenën e koloseut të Rozafës. Shtonte rreshtin e Padër Dajanit dhe Padër Faustinin, anëtarë të organizatës antipopullore “Bashkimi Shqiptar”. Mbi të binte edhe akuza e të qenit si kryetar i PDK në fillimet e saj.

Në gjyq pati një avokat të guximshëm dhe të përsosur, Myzafer Pipa. Ky ishte ish-student i tij, e njihte personalitetin e Padër Shllakut dhe nuk e pati të zorshme edhe mbrojtjen megjithëse pati pasoja nga kjo. Sipas kujtimeve të Pal Duka Gjinit, Myzafer Pipa ka pranuar të mbrojë Padër Gjonin dhe në një moment tha: “Shka mund të bëjë juristi ku s’ka ligje dhe drejtësi? Si mund të mbrojë një njeri në kje se në kohë para se të provohet jo faji i tij asht i denuem?”.

Një gjyq tragjikomik. Padër Gjoni dënohet me vdekje. Akuzat e planifikura nga lart paraqitën Padër Gjonin si ideologun dhe krijuesin e PDK-së, organizatorin dhe udhëheqësin e “Bashkimit Shqiptar”. Fajtor për vdekje jo vetëm si kundërshtar i regjimit por edhe si kriminel dhe njeri i dëmshëm për popullin dhe kombin. Dënimi me vdekje kishte ardhë prej kohe nga Tirana zyrtare. Pas kësaj ekzekutimi është i padiskutueshëm.

Nga Rudina Llazari më 07/08/2016

Written by: pradm

Rate it