HISTORI

Kurbini (Curbino) në dokumentacionin historik

todayFebruary 10, 2025 1

Background
share close

Kurbini ka një sipërfaqe prej 269.03 kilometrash katrorë dhe popullsi rreth 74 000 banorë. Emrin Kurbin (Curbino) në dokumentacionin historik na del në vitin 1457. Në këtë krahinë ka banuar bashkësia ilire e fisit të parthinëve, emër që disa studiues e barazojnë me fjalën shqipe bardhej dhe e marrin si sinonim të albanëve. Dëshmitë e shumta se kjo krahinë ka qenë e banuar nga ilirët, të paktën që nga mijëvjeçari I pas Krishtit, mbështetet në një numër të madh rrënojash të cilat i përkasin periudhave të hershme prehistorike të antikitetit, si epoka e gurit, e bronxit, e hekurit për të vazhduar deri në periudhën e mesjetës. Shtresat kulturore të periudhës së antikitetit të vonë janë gjetur në mënyrë rastësore gati kudo në fshatrat Shëmri, Zhejë, Kuqna, Gjonëm, Shullaz, Malbardhë, Mal-Milot, Ferrë-Skuraj, Shkopet, Skuraj, Gallatë e Vinjollë, gjë që flet se ky territor ka pasur kushte shumë të përshtatshme për banim dhe jetesë. Janë gjetur trakte muresh dhe gjurmë të kulturës materiale si vegla pune të prodhimet zejtar dhe blektoral prej metali dhe qeramike, monedha, enë gatimi etj.

administrimin e Perandorisë Romake dëshmi e së cilës është kështjella e Laçit (Sebastes), një ndërtim i antikitetit të vonë që i përket qyetit LATIUM. Në periudhën e Mesjetës Kurbini është përfshirë në Principatën e Arbrit, me sundimtarët Progoni, në vitet 1190-1199 dhe të bijtë, Gjini që sundoi në vitet 1199-1208, Dhimitri 1208-1216, (pinjollë të familjes Skura). Mbas sundimit anzhuin e Napolit dhe përpjekjes së Stefan Dushanit për tu shtrirë në bregdetin shqiptar, me krijimin e principatave feudale ne fundin e shekulit XlV, Kurbini kaloi nën qeverisjen e Topiajve me kryeqendër Durrësin e më pas në Krujë deri në fillim të shekullit të XV (1415), kur Kruja dhe Kurbini u pushtuan nga turqit deri në nëntor të vitit 1443. Gjatë viteve 1437-1439, kur Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) mbante postin e qeveritarit osman (subashit) të vilajetit të Krujës, Kurbini bënte pjesë në zotërimet tij. Mali i Skënderbeut dhe e gjithë zona përreth tij, kanë qenë pjesë e rëndësishme e veprimeve luftarake të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) gjatë viteve 1443-1468 kundër ushtrive osmane, ku një vend të posaçëm zë beteja historike e Ujit të Bardhë, ndryshe Albulenës, në fshatin Zhejë më 2 shtator 1457. Pas pushtimit osman të Durrësit në 1501, në Kurbin do të vedoset selia e kryeipeshkvisë katolike.

Kurbini së paku që prej Mesjetës ka qenë një nyje e rëndësishme komunikimi për Arbërinë Qendrore e Veriore dhe më gjërë në Detin Adriatik. Në grykëderdhje të lumit Mat gjendej asokohe skela detaro-lumore e Shufadasë, qendër kjo e rëndësishme tregtare dhe doganore prej nga nisnin rrugët tregtare që e lidhnin atë skelë me qytete të rëndësishme si Lezha, Shkodra deri në Prizren, Dardani (Kosovë) dhe Dibër e Ohër në Maqedoni. Në vitin 1632, në Shna Prende (Gallatë) u hap një ndër shkollat e para në gjuhën shqipe e cila do të mbështet më pas nga vetë Papa Papa Klementit XI me vendorigjinë të të parëve nga Kurbini. Është për tu përmendur mbledhja e Kuvendit Krahinor të Kurbinit në fshatin Delbnisht “ku kanunet e Flamurit e të Kurbinit me 5, 6 e 7 gusht 1906 u bënë shtesë në kanunin e Lekë Dukagjinit. Kryengritja e Kurbinit e viteve 1905 – 1907, është padyshim fakti më i gjallë historik i rezistencës me armë në dorë të patriotëve kurbinas që e detyruan Qeverinë Osmane të falte taksat mbi gjënë e gjallë; të lejonte Kurbinin të gëzonte të drejtën e të vepronte sipas venomeve të veta; të shpallte amnisti për të gjitha fajet e kryera nga banorët e zonës; të paguante dëmshpërblimet për dëmet që kishte shkaktuar ushtria turke gjatë ekspeditave ndëshkimore në Kurbin. Lëvizjet e vazhdueshme të rezistencës, të organizuara nga patriotët vendas në lidhje të vazhdueshme me Imzot Nikollë Kaçorrin (nënkryetar i qeverisë së Vlores Prend Bardhit, (arqipeshkvi i Durrësit nga Delbnishti) dhe At Shtjefën Gjeçovi OFM, asokohe famullitar i Laçit, bënë që më 28 nëntor 1912 edhe në Milot, ashtu si në Vlorë, në të njëjtën ditë dhe orë, të ngrihej flamuri i pavarësisë nga patrioti Gjin Pjetri (1856-1914) dhe përfaqësues të tjerë të Milotit dhe të gjithe krahinës.

Kurbinasit nuk u pajtuan as me pushtuesit serbë, me të cilët u ndeshën në Vinjollë dhe as me kryengritjen antikombëtare të Haxhi Qamilit, por mbështetën fuqishëm qeverinë e Vlorës dhe atë të Pric Vidit. Në vitet 1916 – 1917, gjatë periudhës së pushtimit hungarez, do të nisë funksionojë pazari i Milotit si treg rajonal për shitjen e produkteve bujqësore, blegtorale dhe artizanale. Ky Pazar, në një periudhë shumë të shkurtër kohe, do të bëhej i njohur në të gjithë Shqipërinë. Në këtë periudhë, në vitet 1934 – 1936 është ndërtuar aksi rrugor Delbnisht – Selitë – Mafsheq, 18 km i gjatë, i shtruar me kalldrëm dhe me të gjitha veprat e artit. Në vitin 1927 mbreti Zog do të financonte ndërtimin e urës mbi lumin Mat, sipas projektit të arkitektëve europianë e të zbatuar nga arkitekti shkodran Gjovalin Gjadri. Me pushtimin italian (1939), kurbinasit patën dëshmorin e tyre Mark Trokthin, ndërkohë që krahina u çlirua më 22 nëntor 1944. Me hyrjen e regjimit komunist kurbinasit nuk u pajtuan me të. Ishte ky preteksti i kryerjes së masakrave në Gurëz, Zhejë dhe Skuraj. Kurbini është vendi i martirëve si Dom Zef Bici, Dom Mark Dushi, Dom Shtjefën Kurti, vendi ku u ushtrua sistematikisht kalvari i pafund i vuajtjeve nga regjimi komunist përmes internimeve, pushkatimeve, burgimeve, ndjekjeve e persekutimeve të familjeve me në zë të saj, duke vendosur në këtë krahinë kampe të izoluara internimi e pune si në Laç, Adriatik dhe Gallatë. Shtimi mekanik i popullsisë i realizuar në vitet 60-70-të, me banorë të ardhur nga i gjithë vendi, u bë qëllimisht nga ana e regjimit për të prishur homogjenitetin e kësaj zone autoktone dhe për ta vënë atë më shumë nën mbikëqyrje gjë që pati efekte krej të kundërta mbasi kurbinasit ditën të ndajnë ideologjinë nga vlerat njerëzore dhe të bashkëjetonin në harmoni me të ardhurit. Gjatë viteve 1945 – 1990, Kurbini u shndërrua në një qendër bujqësore – industriale. U ngrit një fabrikë për prodhimin e verës e të rakisë (Milot), tre sektorë për prodhimin e parafabrikateve, një bazë për prodhimin e asfalto – betonit, ndërsa vepra më e madhe njihet uzina e Superfosfatit e ndërtuar në hyrje të qytetit të Lacit, uzina e bakrit se bashku me fabrikat e acidit 1, 2, 3, kombinati i drurit etj.

Krahina e Kurbinit shtrihet në veriperëndim të Shqipërisë së Mesme në zonën midis lumenjve Mat në veri dhe Drojë në jug. Nga veriu kufizohet me rrethet e Lezhës dhe të Mirditës, në lindje me rrethin e Matit, në jug me rrethet Krujë dhe Durrës dhe në perëndim me detin Adriatik. Deri ne vitin 2015 kishte 4 njësi vendore prej të cilave 2 bashki; Laçi dhe Mamurrasi dhe dy komuna, Miloti dhe Fushëkuqja, të cilat janë bashkuar në një bashki të vetme. Pjesa lindore e kësaj krahine është pothuajse krejt male, në të cilën dallohen dy vargmale të cilat ecin pothuajse paralel me njëri tjetrin, njëri prej të cilëve ai lindor është vargmali i Skënderbeut (22 km gjatësi), ndërsa tjetri vargmali perëndimor është vargmali Krujë – Dajt. Dy vargmalet i ndan në mes lumi i Hurdhazës që buron nga Mali i Skënderbeut në Vinjollë, kurse pjesa perëndimore është fushë. Mali i Skënderbeut nis nga Shkopeti, kalon në majën e Mëllezës (1123 m) e vijon me Majën e Hithit 1316 m, duke mbërritur pikën më të lartë në majën e liqenit (1724 m). Vargmali perëndimor ka pikën më të lartë në majën e Kunorës sipër Milotit (745 m) e ndjekuar afër saj nga maja e Sukës (675 m). Kurbini ndodhet 45 km larg kryeqytetit, 65 km nga porti i Durrësit, 20 km nga porti i Shëngjinit dhe 40 km larg aeroportit Kombëtar të Rinasit “Nënë Tereza”.

Qyteti i Milotit është nyja lidhëse me të gjithë krahinat e Shqipërisë së Veriut e Verilindjes si kryqëzim i rrugëve kombëtare. Në territorin e saj ka edhe një bregdet që mbetet ende i pashfrytëzuar, ku ofrohen resurse mjaft të përshtatshme për zhvillimin e turizmit, por edhe një vend ku mund të kalohen pushime të këndshme (plazhi dhe luguna e Patokut dhe plazhi i Adriatikut). Kurbini ka një reliev të larmishëm, me fusha në pjesën perëndimore, në pjesën lindore me male dhe në veri lugina e Matit. Zona përshkohet nga lumi Mat, i cili ka një gjatësi 115 km dhe një sipërfaqe të pellgut ujëmbledhës 2441 km2, i cili buron në Kaptinën e Martaneshit. Prurja mesatare shumëvjeçare e lumit Mat është 103 m3 në sekondë. Në territorin e rrethit të Kurbinit mbizotëron klima mesdhetare, me bregdet, fusha pjellore, kodrina të ulëta, vargmale me lartësi mbi 700 m mbi nivelin e detit dhe pyje të dendur. Klima mesdhetare me verë të nxehtë e të thatë e dimër të butë e të freskët, është tipike për zonën fushore e kodrinore, ndërsa në zonën malore bie dëborë në dimër. Karakteristike për çdo stinë të vitit janë erërat e forta që fryjnë nga verilindja dhe lindja e drejtohen nga korridoret natyrore, shpatet e maleve. Temperatura mesatare vjetore është 15.6 gradë celcius, kurse amplituda mesatare është 18 gradë celcius. Sasia mesatare e reshjeve është 1350 mm në vit. Ditët me diell variojnë nga 220-240 dite, ku mesatarisht gjatë vitit ka deri 3000 orë diell. Bimësia është e shpërndarë sipas kushteve klimatike, duke formuar zona bimësie si zona e shkurreve mesdhetare (zhvillohen shkurret, kryesisht shqopa e mareja), e dushqeve (lisi, gështenja), e ahishteve (ahu) dhe e halorëve (pisha). Rriten edhe bimët mjeksore e aromatike që përmbajnë lëndë aktive dhe esenca si: sherbela, trumza, kamomili, lulebliri, çaj mali, luleshtrydha, lulëkuqja, mullaga si dhe bimë foragjere me vlera ushqimore për bagëtin.Fauna është e pasur.

Në ujërat e ëmbla rriten peshq si ballëgjëri, krapi, qefulli etj. Shpendë të gjuetisë janë rosa e pata e egër, thëllënxa, karabullakët, çapkat etj. Kafshë të egra që rriten në këtë zonë janë dhelpra, lepuri, ujku, ariu dhe derri i egër.

Përgaditi  Kastriot Marku

Written by: pradm

Rate it