HISTORI

63 martirët e klerit katolik të vrarë nga regjimi komunist

todayFebruary 9, 2025 1

Background
share close

Krimet politike janë referuar në kuptim të ligjit nr.7514, datë 30.9.1991, i ndryshuar, për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë. Të gjithë klerikët e mëposhtëm, plotësojnë të gjitha përcaktimet e këtij ligji. Janë shënuar emrat që lumnohen dhe ato që kanë munguar, për arsye të pashpjegueshme, të jenë pjesë e këtij nderimi.

Në një botim të mëvonshëm, do të publikojmë gjithë historinë e persekutimit, përfshi edhe emrat e persekutorëve dhe derivateve të tyre.

Më poshtë, lista e klerikëve të masakruar nga komunistët:

1-Patër Lek Luli (1908-1944). Vritet pabesisht, së bashku me shoqëruesin e tij, nga komunistët e batalionit Perlat Rexhepi, në Tropojë, në 16.7.1944. Pas vrasjes, i grabisin paratë që mbante me vete (Nuk figuron në listën zyrtare).

2-Dom Lazër Shantoja (1892-1945). Dënohet me vdekje dhe ekzekutohet në Tiranë, në 5.3.1945. Akuzohej si bashkëpunëtor i Mustafa Krujës, element kryengritës, reaksionar, bashkëpunëtor i Gjon Markagjonit, etj, fashist i flaktë, etj.

3-Dom Ndre Zadeja (1892-1945). Dënohet me vdekje dhe pushkatohet në 23.3.1945, në Shkodër. U akuzua se strehoi Lazër Shantonë.

4-Dom Mark Gjani (1909-1945). Torturohet dhe vdes në shtator 1945, në Mirditë.

5-Patër Leonard Tagaj (1910-1945). Vritet pa gjyq, në 4.2.1945, në Traboin. (Nuk figuron në listën zyrtare).

6-Papa Pandi (1910-1945), meshtar unit, vrarë në Korçë, në tetor 1945 (Nuk figuron në listën zyrtare).

7-Dom Alfons Tracki (1896-1946). Klerik gjerman. Dënohet me vdekje dhe u pushkatua në 25.7.1946, në Shkodër, së bashku me Kol Ashiku, Llesh Marash Vata (varje në litar), Nikoll Prek Deda. U akuzuan si kriminelë lufte, armiq të popullit, sabotatorë të pushtetit popullor dhe strehues. Nuk është gjendur procesverbali i ekzekutimit.

8-Dom Zef Marksen (1900-1946). Klerik gjerman. U dënua me 2 vjet burgim, duke u akuzuar për shpirt nazist. U vra pas shpine më 16.11.1946 bashkë me patriotët e tij Rudolf Waber dhe Jozepf Kutzen në Kukës, gjoja se po arratiseshin.

9-Atë Bernardin Palaj (1894-1946). Vdes në hetuesi më 2.12.1946 Shkodër.

10-Atë Gjon Shllaku (1907-1946). U dënua me vdekje për pjesëmarrje në një organizatë fashiste, profashiste e terroriste, pavarësisht se nuk doli asnjë provë gjatë gjyqit. U pushkatua në 4.3.1946, në Shkodër.

11-Atë Gjovani Fausti (1899-1946). Klerik italian. U dënua me vdekje, për pjesëmarrje në një organizatë fashiste, profashiste e terroriste, pavarësisht se nuk doli asnjë provë gjatë gjyqit. U pushkatua në 4.3.1946, në Shkodër.

12-Atë Daniel Dajani (1906-1946). U dënua me vdekje, për pjesëmarrje në një organizatë fashiste, profashiste e terroriste, pavarësisht se nuk doli asnjë provë gjatë gjyqit. U pushkatua më 4.3.1946, në Shkodër.

13-Xhakon Mark Çuni (1920-1946). Themelues i Bashkimit Shqiptar të xhakojve. U dënua me vdekje dhe u pushkatua në 4.3.1946, në Shkodër.

14-Patër Anton Harapi (1888-1946). U dënua me vdekje si kolaboracionist dhe u pushkatua në 20.2.1946, në Tiranë, së bashku me Lef Nosin dhe Maliq Bushatin.

15-Dom Nikoll Gazulli (1891-1946).Vritet pa gjyq në 23.3.1946, në Malësi të Madhe (Nuk figuron në listën zyrtare).

16-Imzot Nikoll Tusha (Nogaj) (1895-1946). Vritet në 14.9.1946, në Mal të Zi (Nuk figuron në listën zyrtare).

17-Patër Bernard Llupi (1886-1946). Dënohet me vdekje në Prizren, në një proces, ku së bashku me 26 persona të tjerë, u akuzua nga OZN-a jugosllave, për krijim organizate patriotike. U pushkatua në 25.11.1946, së bashku me Marie ShllakuKolë Parubi dhe Gjergj Martini (Nuk figuron në listën zyrtare).

18-Dom Luigj Pici (1907-1946). Dëshmoi pro klerikëve katolikë dhe u vra në Koplik, pabesisht e pa gjyq, në 10.11.1946. (Nuk figuron në listën zyrtare).

19-Dom Luigj Prendushi (1896-1947). Akuzohet si strehues kriminelësh dhe dënohet me vdekje. U ekzekutua në Shkodër, në 23.1.1947, para popullit. Kleriku tjetër, Ndoc Suma u dënua me 30 vjet burgim të rëndë. U dënuan po ashtu, bashkë me të, edhe Ndrec Dodani dhe Pjetër Zef Gjoni.

20-Dom Dedë Maçaj (1918-1947), (Dedë Gjon Gjonaj). Duke qenë ushtar, u akuzua për përhapje parullash disfatististe, për marrje mesazhesh nga Vatikani, për mospëlqim të PKSH-së, etj. Gjykata shënonte se kishte bërë 18 vjet shkollë për prift. U gjykua, së bashku me Rrok Gjurën, që u dënua me 1 vit burgim. U pushkatua në 28.3.1947, në Përmet.

21-Atë Serafin Koda (1893-1947). U torturua dhe vdiq në hetuesi, në 11.5.1947, në Shkodër.

22-Vëlla Gjon Pantalia (1887-1947). U arrestua në tetor 1946. U torturua shumë gjatë hetuesisë dhe vdiq në spital, në 31.10.1947.

23-Imzot Frano Gjuraj (1893-1946). Arrestohet dhe torturohet rëndë. Pa dalë në gjyq, e lirojnë. Nga plagët e rënda, vdes dy muaj pas lirimit, në 20.11.1947. (Nuk figuron në listën zyrtare).

24-Atë Ciprian Nika (1900-1948). Tregon armiqësinë kundër pushtetit popullor dhe kundra komunizmit – shkruhet në një dokument të Sigurimit. U akuzua se gjoja mbante armë dhe dokumente propagandistike, në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit. U dënua me vdekje dhe në javën e parë të marsit 1948, u ezekutua. Nuk është trashëguar procesverbal ekzekutimi. U dënua, së bashku me Pal Dodajt (u dënua fillimisht me vdekje, por iu kthye në dënim të përjetshëm).

25-Imzot Frano Gjini (1886-1948). U gjykua së bashku me këto persona: Dom Nikoll Zef Deda, Patër Mati Prenushi, Patër Gjon Karma, Dom Tom Laca, ish deputeti Zef Kolë Haxhia, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Nikoll Shelqeti, Patër Mëhill Miraj, Zef Pllumi.

U akuzuan se kanë punuar për ardhjen e fashizmit gjatë luftës, kanë punuar për fashistizimin e vendit, janë bërë agjentë të Gestapos, kanë luftuar partizanët, kanë zhvilluar agjitacion e propagandë kundër pushtetit, etj., etj..

26-Atë Mati Prendushi (1887-1948). U dënua me vdekje dhe u pushkatua në 11.3.1948, në Shkodër.

(Së bashku me Frano Gjinin dhe Mati Prenushin, është pushkatuar edhe Nikoll Zef Deda, i cili mungon në listën zyrtare).

27-Dom Anton Muzaj (1921-1948). Akuzohet si nxitës i rinisë kundër pushtetit. U torturua rëndë. Vdes prej torturash mbas hetuesie, në vitin 1948, në Shkodër.

28-Dom Anton Zogaj (1900-1949). U gjykua së bashku me Imzot Viçens Prenushin dhe Dom Pal Gjinin. U dënua me vdekje dhe u ekzekutua në Durrës, në 9.3.1948. U akuzuan për faje kundra popullit e shtetit, për lidhje me grupet tradhëtare, organizatën demokristiane, agjentët anglo-amerikanë, kriminelët e arratisur dhe gjithë klerikët reaksionarë katolikë.

29-Dom Ejëll Deda (1917-1948). U akuzua se ishte pjesëtar i Bashkimit Shqiptar, por u arrestua në vitin 1947. U dënua me 10 burgim. Vdiq në 12.5.1948, në spitalin e burgut të Shkodrës, mbas torturash të rënda.

30-At Josif Papamihali (1912-1948). Agjent i propagandës unite dhe armik i pushtetit popullor, shkruhet në një dokument të Sigurimit. Arrestohet në v.1946. Akuzohet se propagandonte kundër të ashtuquajturit pushtet popullor, se ishte në lidhje me UNRRA-n, etj dhe dënohet me 5 vjet burgim e punë të detyruar. Vdiq në kampin nr.1 në Maliq, në 26.10.1948.

31-Dom Dedë Plani (1889-1948). U arrestua në Koplik. U torturua shumë e nuk mund ta nxirrnin në gjyq. Vdiq në spital, në 30.4.1948.

32-Dom Aleksandër Sirdani (1925-1948). U torturua mbyt së gjalli në ujërat e zeza në Koplik, në 31.7.1948.

33-Dom Pjetër Çuni (?-1948). U torturua mizorisht dhe u mbyt për së gjalli në ujërat e zeza në Koplik, në 31.7.1948.

34-Imzot Gjergj Volaj (1905-1948). U akuza për pjesëmarrjen në kryengritjen e Postribës, por u arrestua disa muaj pas saj. U dënua me vdekje dhe u ekzekutua në 3.2.1948, së bashku me Cin Serreqin, Bilbil Hajnin, Xhelal Hardollin dhe Dulo Kalin. (Nuk figuron në listën zyrtare).

35-Dom Nikoll Laskaj(1898-1948). U akuzua për strehim kriminelësh dhe u dënua me 2 vjet burgim e punë të detyruar. Vdes në kampin e Bedenit, në 15.5.1948. Vëllezërit mundën tia marrin trupin e ta varrosin në Mirditë. (Nuk figuron në listën zyrtare).

36-Dom Nikollë Shelqeti (1893-1948). U dënua me 3 vjet burg e punë të detyruar. Vdiq në vitin 1948, në kampin e Bedenit në Kavajë. (Nuk figuron në listën zyrtare).

37-Patër Nikoll Zef Deda (1890-1948). U dënua me vdekje e u pushkatua në 11.3.1948, në Shkodër. (Nuk figuron në listën zyrtare).

38-Dom Mark Bicaj (1911-1949) (Mark Kolë Ndoji), (1911-1948). U dënua me 15 vjet burgim, duke u akuzuar si spiun i Jakomonit dhe për strehim kriminelësh. Vdes në burgun e Shkodrës, në 1948. (Nuk figuron në listën zyrtare).

39-Imzot Vinçenc Prenushi (1885-1949). U gjykua në vitin 1947, së bashku me Dom Anton Zogaj dhe Dom Pal Gjinin. U akuzuan për faje kundra popullit e shtetit, për lidhje me grupet tradhtare, organizatën demokristiane, agjentët anglo-amerikanë, kriminelët e arratisur dhe gjithë klerikët reaksionarë katolikë. Ndërroi jetë në 19.3.1949, në burgun e Durrësit.

40-Dom Jak Bushati (1890-1949). U akuzua se strehonte kriminelët. U torturua dhe vdiq në hetuesi më 12.9.1949, në Shkodër.

41-At Gaspër Suma (1897-1950). U arrestua më 1948. U akuzua se gjatë luftës ishte vënë në shërbim të fashistëve, duke agjituar në dëm të komunistëve, ndërsa pas lufte ka bërë pjesë në organizata fashiste, socialdemokrate, duke propaganduar kundër PKSH-së e pushtetit komunist. U dënua me 3 vjet burg e punë të detyruar. Vdiq në burgun e Shkodrës, në 14.4.1950.

42-Rishtare stigmatine MariaTuci (1928-1950). U akuzua së bashku me Gegë Ndue Gjinin, për strehim kriminelësh dhe u dënua me 3 vjet burgim e punë të detyruar, vendim i cili iu kthye 2 vjet me kusht. Arrestohet në 5.9.1950. Dënohet në 13.9.1950. Vdiq nga torturat në 24.10.1950.

43-Imzot Jul Bonati (1874-1951). Akuzohet për bashkëpunim me fashistët gjatë luftës dhe anglo-amerikanët e UNRRA-s pas lufte. U dënua me 5 vjet burgim e punë të detyruar. Vdes në çmendinë, në 5.5.1951.

44-Patër Pal Doda (1880-1951). Ishte akuzuar së bashku me Ciprian Nikën për armët në kishë dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Vdes në burgun e Shkodrës më 5.9.1951. (Nuk figuron në listën zyrtare).

45-Dom Rrok Frisku (1892-1952).Të dhënat rreth tij janë të pakta. Është arrestuar në vitin 1947 në Mirditë, është dënuar me 12 vjet burgim e punë të detyruar. Vdes në burgun e Burrelit më 30.4.1952. (Nuk figuron në listën zyrtare).

46-Atë Karl Serreqi (1911-1954). Akuzohet për strehim kriminelësh dhe fillimisht dënohet me vdekje, por më pas dënimi i kthehet me burgim të përjetshëm. Vdiq në burgun e Burrelit më 4.4.1954.

47-Patër Klement Miraj (1882-1956). Akuzohet se mbante lidhje me gjermanët gjatë luftës, se e ka paraqitur komunizmin rrezik botëror, etj. Arrestohet në vitin 1952 dhe dënohet me 20 vjet burg e punë të detyruar. Vdes në burgun e Burrelit në 21.11.1956. (Nuk figuron në listën zyrtare).

48-Dom Ejell Kovaçi (1920-1958). U akuzua për lidhje me spiunazhin e huaj, me Pal Bib Mirakajn, për terror, etj. Në 13.11.1958, dënohet me vdekje dhe pushkatohet. Nuk është gjetur procesverbali i ekzekutimit. U dënua së bashku me shtetasit: Nik Pepa, Angjelina Kovaçi (e motra), Dedë Marashi dhe Gjok Kola. (Nuk figuron në listën zyrtare).

49-Dom Dedë Malaj (1920-1959). U akuzua për tradhëti ndaj atdheut (arratisje d.m.th.) dhe agjitacion e propagandë. U pushkatua në breg të liqenit të Shkodrës, në 12.5.1959. Nuk është gjetur procesverbali i ekzekutimit. U dënua së bashku me shtetasit: Patër Konrat Gjolaj, Lazër ParubiGjon ParubiLulash Petali, Gjeto Budashaj dhe Lash Toni.

50-Dom Ndoc Suma (1887-1962). U dënua në 1946, me 30 vjet burgim, i akuzuar për strehim kriminelësh. Vuan 8 vjet burg dhe lirohet nga burgu në v.1954. Vdiq në vitin 1962 pas vuajtjesh të shumta. U dënua së bashku me shtetasit e tjerë: Luigj Prendushi (ekzekutuar), Ndrec Dodani dhe Pjetër Zef Gjoni. (Rasti për t’u diskutuar pasi ka vdekur 8 vjet pas daljes nga burgu).

51-Patër Rrok Gurashi (1894-1965). Arrestohet (disa muaj pas ngjarjes) në vitin 1947, i akuzuar për pjesëmarrje në kryengritjen e Postribës. U dënua me burg të përjetshëm e punë të detyruar. U lirua në vitin 1949, por u arrestua sërish në vitin 1956, duke u akuzuar si agjent i zbulimit italian dhe se kishte dhënë informata kundër Partisë së Punës dhe të ashtuquajturit, pushtet popullor. U dënua me vdekje, pushkatim, por dënimi iu kthye nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me burg të përjetshëm. Vdes në 1.1.1965, në burgun e Burrelit. (Nuk figuron në listën zyrtare).

52-Dom Zef Bici (1919-1968). Akuzohet për veprimtari spiunazhi dhe agjitacion e propagandë. Dënohet së bashku me klerikët Mark Dushi, Mark DoshiFrano IlijaGegë Luma dhe Alfonc Radovanin dhe Kolë Marlocajn. Dënohet me vdekje me pushkatim dhe ekzekutohet në 10.5.1968. Nuk është gjetur procesverbali i ekzekutimit. (Nuk figuron në listën zyrtare).

53-Mark Dushi (1920-1968), akuzohet për veprimtari spiunazhi dhe agjitacion e propagandë. Dënohet së bashku me klerikët Zef BiciMark DoshiFrano IlijaGegë Luma dhe Alfonc Radovanin dhe Kolë Marlocajn. Dënohet me vdekje me pushkatim dhe ekzekutohet në 10.5.1968. Nuk është gjetur procesverbali i ekzekutimit. (Nuk figuron në listën zyrtare).

54-Dom Marin Shkurti (1933-1969). Mundi të arratisej në Jugosllavi me 8 persona të tjerë, por jugosllavët e kthyen në Shqipëri. U dënua me vdekje dhe u pushkatua në mars të vitit 1969.

55-Dom Shtjefën Kurti (1898-1971). Dënohet me 20 vjet burg, për krime kundër shtetit e për bashkëpunim me grupin e Sami Qeribashit. Lirohet në 2.3.1963 nga burgu i Burrelit. Arrestohet për herë të dytë, në vitin 1970, në Gurzë të Krujës. Akuzohet për agjitacion e propagandë dhe sabotim. Në të vërtetë, u dënua sepse pagëzoi një fëmijë. U pushkatua në 20.10.1971, në Tiranë. Nuk është gjetur procesverbali i ekzekutimit. Punëtori operativ i Sigurimit, që i përgatiti dosjen, sot merr pension suplementar nga shteti.

56-Dom Mikel Beltoja (Hil Gjoka) (1935-1974). U akuzua për tradhëti ndaj atdheut të mbetur në tentativë, për agjitacion e propagandë, kundërshtim me dhunë të përfaqësuesit të pushtetit dhe për mashtrim më shumë se një herë. Mashtrim, komunistët quanin pagëzimet që bënte kleriku i ndjerë. U dënua me vdekje dhe u pushkatua në 10.2.1974.

57-Dom Prekë Nikçi. Ka vdekur gjatë torturave në hetuesinë e Krujës, në 15 mars 1974. Nuk ka të dhëna të tjera. (Nuk figuron në listën zyrtare).

58-Imzot Ernest Çoba (1913-1980). Arrestohet në vitin 1976 dhe një vit më pas, dënohet me 25 vjet burgim. Akuzohej për strehim kriminelësh shumë vite më parë, për lidhje të fshehta me Vatikanin, etj. U dënua së bashku me shtetasit: Lec Sahatçija, Kolë Toni dhe Zef Hardhija. Vdes në spitalin e burgut Tiranë, në 7.1.1980. (Nuk figuron në listën zyrtare).

59-Dom Mark Zef Doshi (Hasi) (1920-1981). Akuzohet për veprimtari spiunazhi dhe agjitacion e propagandë. U dënua me vdekje, por dënimi iu kthye me 25 vjet burg. Vdes në repartin 309 Ballsh 1.10.1981. (Nuk figuron në listën zyrtare).

60-Dom Anton Doçi (1915-1982). Dënohet në vitin 1971 me 10 vjet burgim, për agjitacion e propagandë. Arrestohet në kampin e punës së detyruar të Spaçit, në vitin 1977 dhe dënohet me 10 vjet burgim të tjera për agjitacion e propagandë. Vdes në repartin 309 Ballsh 9 dhjetor 1982. (Nuk figuron në listën zyrtare).

61-Dom Lec Sahatçija (1906-1986). Arrestohet në vitin 1976 dhe një vit më pas dënohet me 25 vjet burgim. Akuzohej për strehim kriminelësh shumë vite më parë, për lidhje të fshehta me Vatikanin, etj. U dënua së bashku me shtetasit: Ernest Çobën, Kolë Toni dhe Zef Hardhija. Vdes në burgun e Zejmenit në Lezhë, në 4.4.1986.

62-Dom Kol Mark Gjinaj (1910-1987). Në vitin 1979 akuzohet për agjitacion e propagandë e minim të pushtetit popullor. Vdes në 16.3.1987, në moshën 77 vjeçare, në burgun e Zejmenit.

63-Dom Pjetër Gruda (Gjeloshi) (1922-1989). Në vitin 1979, dënohet me 25 vjet burgim për agjitacion e propagandë. Dënohet se bashku me Anton Nikën e David Lukën. Vdes i paralizuar në repartin 305 Sarandë, në 13.1.1989, në moshën 67 vjeçare.

Shënim: Në listën zyrtare të shpallur bëjnë pjesë edhe persona që nuk janë klerikë.

Këta janë:

-Qerim Sadiku (pushkatuar 4.3.1946) 27 vjeç, nga Vuthaj i Gucisë, i martuar me një fëmijë, ish rreshter xhandarmërie.

-Gjelosh Lulashi Bajraktari (pushkatuar 4.3.1946), 20 vjeç, nga Ndrecaj i Shoshit Dukagjin, ish oficer, ushtar në spitalin ushtarak.

-Fran Miraka (pushkatuar më 3.7.1946), 29 vjeç, nga Iballa e Pukës, tregtar.

Në rast se do të pranohej si kriter, që në listë të ishin persona që nuk kanë qenë klerikë, atëherë lista do ishte shumë më e gjatë./Kujto.al

Written by: pradm

Rate it

Post comments (0)

Leave a reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *