HISTORI

“Letrarët shovinistë të veriut” ja pse u dënuan nga regjimi

todayJune 3, 2025 4

Background
share close

Pas një analize të hollësishme bërë dy autorëve  Gjergj Fishta e Ndre Mjeda  në studimin e Gjovalin Lukës gjen një vend të veçantë edhe trajtimi i një varg autorësh të tjerë  që regjimi i konsideronte të shkollës letrare të klerikëve të Shkodrës. Mes tyre renditen emrat e At Vinçens Prenushit, Luigj Gurakuqit, Dom Ndoc Nikajt, Patër Anton Zanonit, Hil Mosit, Kolë Thaçi, Ernest Koliqi, Dom Lazër Shantoja e Dom Ndre Zadeja.

Ndër analizat që u bëhen këtyre autorëve si më e ashpra  bie në sy ajo  për Ernest Koliqin ku veç të tjerash ai kritikohet për poezitë e tij: “Si poet ai është një dekadent; një imitues i poetit fashist Gabriele d’Anunzios. Në vjershat e tij pra, predominon formalizmi, ose siç e quanin vetë teoricienët e artit fashist, esteticizmi. Përkthimet e tij janë bërë në një gjuhë të pashpirt, ku ai përkthen vetëm fjalët e poetit italian, por përmbajtjen e tij e mbyt…”, shkruhet në këtë analizë për Koliqin poet. Më poshtë po e sjellim të plotë dokumentin kushtuar autorëve katolik të veriut, të cilët e ushtruan aktivitetin e tyre kryesisht në vitet ’30 dhe gjatë viteve të Luftës.

Dokumenti i plotë:

III. PATER VINÇENC PRENUSHI. – U lind në Shkodër më 4 shtator 1885. Mësimet e shkollës fillore dhe pjesërisht të shkollës së mesme i bëri në Shkodër. Kreu shkollën e mesme në Kolegjin Françeskan të Troshanit. Filozofinë dhe teologjinë i kreu në Tirol të Austrisë. Më 25 mars 1908 u bë prift (françeskan) dhe menjëherë u kthye në Shqipëri. Këtu ai filloi aktivitetin e tij letrar e politik në shkollën letrare shoviniste kryetar i së cilës ishte Fishta. Më 1911 botoi në Sarajevë një mbledhje këngësh popullore.

Më 1914 ai shkroi një vjershë, “Shpata e Skanderbegut” në të cilën Skënderbeu përshkruhet duke dalë nga varri si një hije, e cila mbasi shëtit gjithë Shqipërinë ku sheh rrënim e mjerim, më në fund sheh shpëtimin te Wilhelm Wied-i, të cilit i lë shpatën dhe kthehet qetësisht në varr. Po në këtë vjershë, në ribotimin e saj më 1931, Skënderbeu shpatën kthehet dhe ia lë “Mbretit të ri”.

U mor vesh se edhe Vinçenc Prenushi është një nga ata poetët klerikë që shkruajnë për hesap të klasave sunduese dhe të intrigave politike që bënte kleri katolik në vendin tonë sipas udhëzimeve e frymëzimeve të Vatikanit. Ja nacionalizmi i këtyre njerëzve! Skënderbeu për ata është një matrapaz që vete duke e shitur shpatën e tij për çdo treg!

Prenushi, sipas zakonit të Fishtës, vërsulet me vjershat e tij kundër “Shkjaut”. Ja dhe një tjetër agjent i imperializmit austriak, i përgatitur në kuvendet françeskane të Troshanit, Shkodrës e Tirolit.

Vjershat e tij lirike ai i ka mbledhur në volumin me titull “Gjeth e Lule” botuar të parën herë më 1925 dhe të dytën herë më 1931.
Ka qenë një nga bashkëpunëtorët e gazetës famëkeqe “Posta e Shqypnisë”, dhe i organeve të tjera që kanë botuar françeskanët në Shkodër.
Ka shkruar shumë, dhe ka përkthyer nga gjuhët e huaja, por i gjithë aktiviteti i tij letrar s’ka ndonjë gjë përparimtare.

Prenushi si artist është një vjershëtor i lehtë: kompozon vargje melodike dhe të bukura teknikisht, por brendia e tyre ja është reaksionare, ja është ndonjë punë boshe që s’të prek. Ai edhe në të përshkruarit e natyrës ose të ndonjë argumenti tjetër si p.sh. “Grueja Shqyptare”, ka artifice dhe falsitet. Në artin e tij dhe në stilin e tij zotëron manierizmi dhe dekadentizmi i shkollës që ai ndjek. Gjuha e tij përgjithësisht është një shkodrançe e qytetit të Shkodrës.
Fama që ai fitoi si poet lirik në literaturën tonë, i detyrohet kryesisht ngritjes që atij i bënin bashkëvëllezërit e tij françeskanë dhe kleri në përgjithësi, për shërbimet që ai i bënte me pendën e tij kauzës së tyre të përbashkët.

Për këto merita Vinçenc Prenushin Vatikani më 1936 e bëri Episkop të Zadrimës, dhe më 1940 Krye-episkop të Durrësit. Ai në rrugën e tij antipopullore, sado në mënyra të maskuara nën rrobën e fetarit, e vazhdoi edhe pas çlirimit të Shqipërisë, dhe sot gjendet i burgosur si armik i popullit dhe tradhtar i vendit. Agjent i vjetër i imperializmit austriak dhe italian, përfundoi të vihet në shërbim të imperializmit anglo-amerikan sipas udhëzimeve që atij i kishte dhënë Vatikani.

IV. TË TJERË SHKRIMTARË – të dalë nga kjo shkollë janë: Luigj Gurakuqi (1879-1925). Ky qe njeri që bashkëpunoi shumë me klerin katolik si në lëmin e politikës ashtu edhe në lëmin e literaturës. Ka shkruar një seri vjershash me vlerë të dorës së dytë. Proza e tij merret kryesisht me çështje politike. Shkruan një gegërishte të zbutur përgjithësisht, dhe kishte idenë e mirë për atë kohë të afrimit të të dy dialekteve. Teknikën e vargut e zotëron por në vjershat e tij ka shumë retorikë.

DOM NDOC NIKAJ. U lind në Shkodër më 1864. Ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Imzot Preng Doçit, krye-agjent i Austro-Hungarisë dhe i Fishtës. Ka luajtur dallavere me të gjithë imperialistët e qeveritë reaksionare që kanë shtypur vendin tonë. Ka shkruar shumë, por prodhimi i tij jo vetëm që s’ka asgjë përparimtare, por shumë herë është bërë një pjacë tregu e zakonshme për fitime të cilat Dom Ndocit i pëlqenin tepër. Ka bërë tentativat e para në Shkodër për të krijuar romanin.

Edhe ky prift vagabond, i famshëm, në Shkodër për matrapazllëqet e tij, pas çlirimit të Shqipërisë, përfundoi në burg si agjent i imperializmit anglo-amerikan dhe armik i popullit.
PATER ANTON ZANONI, (1863-1915). Anton Zanoni ka zhvilluar një aktivitet letrar të shënuar në kolegjin e jezuitëve në Shkodër. Ka përkthyer shqip disa drama e disa romane të vogla me një gjuhë mjaft ekspresive. Ka bërë edhe një gramatikë të gjuhës shqipe të botuar më 1909, e cila ka rëndësinë e saj. Por puna letrare më e bukur që ka bërë Zanoni, janë disa pjesë të Bukolikave të Virgjilit të përkthyera shqip.

Nga kjo shkollë kanë dalë edhe dy laikët Hil Mosi (1885-1933) dhe Kol Thaçi (1886-1941) të cilët si persona politikë qenë përgjithësisht vegla të reaksionit në Shqipëri, dhe që të dy ministra në qeverinë e Zogut. Si letrarë ata kanë shkruar disa poezi të cilat sot koha me të drejtë i ka hedhur në harresë. Hil Mosi këndon diçka më lart, dhe nganjëherë në vjershat e tij mundohet të përshkohet një frymë romantizmi. Kurse te Kol Thaçi ne gjejmë një retorikë të tërë që të shurdhon veshët, dhe mund të quhet përfaqësuesi tipik i manierizmit të shkollës letrare të klerikëve të Shkodrës.

SHKRIMTARË TË KOHËS
V. ERNEST KOLIQI. – U lind në Shkodër nga një familje borgjeze, më 20 maj 1903. Mësimet e para i kreu në Bergamo, dhe studimet e larta në Padova. Më 1924 bënte pjesë në shoqërinë “Bashkimi”. Me të ardhur Zogu në fuqi ai u largua nga Shqipëria dhe gjer më 1929 qëndroi në Zara. Në këtë vit ai u kthye në Shqipëri dhe u fut si profesor në shkollat e mesme ku i lidhur ngushtë me profesorët italianë vazhdoi të zhvillojë një aktivitet të gjerë politik e letrar, në favor të fashizmit.

Koliqi më 1924 botoi një poemë dramatike me titull “Kushtrimi i Skënderbeut”, më 1929 botoi një përmbledhje novelash në volumin “Hija e Maleve”, dhe më 1935 një tjetër volum novelash me titull “Tregtar Flamujsh”. Më 1933 botoi vjershat e tij të mbledhura në një volum me titull “Gjurmat e Stinvet”. Për t’i shërbyer më mirë fashizmit, nën maskën e literaturës, për të përhapur influencën e Italisë në vendin tonë, Koliqi përktheu dy volume nga “Poetët e Mëdhenj të Italisë”, në të cilat i bënë dhe nga një parathënie, volumit të parë P. Gjergj Fishta dhe volumit të dytë prof.

Carlo Tagliavini. Kështu puna e fashistit Ernest Koliqi paraqitej në publikun tonë nga dy fashistë të tjerë, që kishin emër në fushën e letrave. Koliqi qe edhe bashkëpunëtor i të ashtuquajturës “Gazeta Shqyptare” që dilte në Bari dhe ishte një organ propagandist fashist. Koliqi ka qenë redaktor i së përkohshmes “Illyria”, e cila doli në Tiranë më 1935-1936 dhe synonte kryesisht të mblidhte talentet e reja letrare dhe t’i drejtonte në rrugën e fashizmit. Pasi erdhi fashizmi në Shqipëri, Koliqi qe drejtor i revistës fashiste “Shkëndija”, e cila nën maskën e literaturës punonte për të përhapur ideologjinë fashiste në Shqipëri.

Koliqi më 7 prill 1939 gjendej në Romë, dhe porsa u okupua Shqipëria, në kabinetin e parë tradhtar me kryeministër Vërlacin, u bë ministër i Arsimit në Tiranë. Italia fashiste për shërbimet e mëdha që i kishte bërë e dekoroi përnjëherë me katër urdhra dhe dekorata të ndryshme. Gjatë gjithë okupacionit fashist ai pati gjithnjë pozita të larta në aparatin shtetëror fashist dhe pas kapitullimit të Italisë u tërhoq në Romë, ku gjendet edhe sot e kësaj dite i gatshëm për t’u shërbyer si agjent padronëve të rinj, imperialistëve anglo-amerikanë, së bashku me tradhtarët e tjerë dhe kriminelët e luftës të vendit tonë.

Në prodhimin e tij letrar vërehet menjëherë karakteri i literaturës së klasës që ai përfaqëson: karakteri i literaturës borgjeze. Në tipat që ai përshkruan në novelat e tij ne do të shohim karaktere aristokrate, borgjeze, të cilat pasqyrojnë vetë karakterin e autorit të tyre. Kritika që ai gjoja dëshiron t’i bëjë shoqërisë së vjetër s’është gjë tjetër veçse dëshira e tij për konsolidimin e klasës borgjeze që ai përfaqëson në literaturë. Vetëm këtë kuptim kanë të ashtuquajturat kritika që ai do t’u bëjë disa paragjykimeve të vjetra në novelat e tij.

Si poet ai është një dekadent; një imitues i poetit fashist Gabriele d’Anunzios. Në vjershat e tij pra, predominon formalizmi, ose siç e quanin vetë teoricienët e artit fashist, esteticizmi. Përkthimet e tij janë bërë në një gjuhë të pashpirt, ku ai përkthen vetëm fjalët e poetit italian, por përmbajtjen e tij e mbyt. Një gjuhë e tillë predominon kudo edhe në veprat e tij origjinale. Teknikën e vargut e zotëron, por vargjet e tij janë një muzikalitet ku tingëllon vetëm fjala si fjalë, pa arritur kurrë të krijojë muzikën që përcjell sentimentin e figurat e shprehura në to. Natyrisht, s’mund të ishte ndryshe: estetizantët formën e vënë si parim kryesor të artit, dhe Koliqi i tillë ishte.

VI. Dy letrarë të tjerë të shkollës letrare shoviniste të klerikëve të Shkodrës të kësaj kohe janë edhe Dom Lazër Shantoja e Dom Ndre Zadeja. Që të dy agjentët fashizmit dhe armiq të popullit punuan për imperializmin dhe klasat sunduese në Shqipëri. Që të dy talentin e tyre letrar, sado të vogël, e vunë në shërbim të këtij imperializmi ose klasave sunduese. Fama e tyre letrare përgjithësisht nuk e kalon qarkun e Shkodrës, por aty bënë mjaft dëm me veprat e tyre antipopullore. Që të dy pas çlirimit të Shqipërisë vdiqën si tradhtarë të popullit, të dënuar me vdekje për veprimtarinë e tyre antikombëtare dhe antipopullore.

Written by: pradm

Rate it