LAJME NGA RAJONI

Kryeministri Kurti shpërfill kërkesën e gjykatës

todayMarch 5, 2025

Background
share close

Kryeministri Kurti shpërfill kërkesën e gjykatës për t’u paraqitur si dëshmitar në Prokurorinë e Posaçme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk u paraqit të martën në Prokurorinë e Posaçme, përkundër urdhrit të gjykatës që të paraqitej në orën 10:00 për të dëshmuar në një rast që nuk është bërë publik nga prokuroria ndërsa mbështetësit e kryeministrit e cilësojnë si të motivuar politikisht.

Gjykata Themelore në Prishtinë konfirmoi javën e kaluar se me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kishte lëshuar një urdhër që e detyronte kryeministrin Kurti, të paraqitej për të dëshmuar në një rast që lidhet me ‘rezervat shtetërore’, pas refuzimit të dy thirrjeve nga ana e tij në dhjetor të vitit të kaluar.

Javën e kaluar zyra e kryeministrit Kurti njoftoi se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që ta detyrojë Prokurorinë e Posaçme të marrë dëshminë e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, brenda zyrës së tij në qeveri.

 

Gjykata tha se me datën 28 shkurt, përmes emalit ka marrë përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit në të cilën thuhet se zoti Kurti ka qenë dhe mbetet i gatshëm të japë dëshminë e tij dhe se “kërkesa e tij që kjo të ndodhë në mjediset e Zyrës së Kryeministrit është plotësisht e arsyeshme dhe nuk mund të interpretohet si shmangie nga drejtësia.

Kryeministri Kurti tha sot se asnjëherë nuk ka refuzuar të jap dëshmi ndërsa ritheksoi kërkesën e tij që kjo të ndodhë në ndërtesën e qeverisë.

“Kam shkruar letër ku kam treguar edhe oraret kur mund të jap dëshminë. Mirëpres Prokurorinë e Shtetit në zyrën e kryeministrit. Nuk ka ndonjë arsye që të mos vazhdojë procesi. Pra, qysh në muajin dhjetor ka qenë e mundur që të kryhet ky intervistimi dhe të jepet dëshmia nga ana ime”, tha ai gjatë një veprimtarie në Gjilan, e cila u zhvillua pikërisht në kohën kur duhej të paraqitej në prokurori.

“Nëse Prokuroria e ka pasur shumë të rëndësishme dëshminë time, ajo do të vinte te ne. Një prokuror që ka synim dëshminë e një dëshmitari, ajo nuk humb kohë. Shtrohet pyetja pse i humbi Prokuroria 3 muaj. Për bindjen time është më e interesuar të mbushë ballinat e ndonjë portali të oligarku sesa të sjellë drejtësi. Kurrë Prokuroria e Shtetit në Kosovë s’ka qenë më e lire por lirinë po e përdor e keqpërdor për të luftuar qeverinë dhe jo krimin e korrupsionin”, tha kryeministri Kurti.

Në një njoftim të Prokurorisë së Posaçme thuhet se pas mosparaqitjes së kryeministrit Kurti, “edhe në këtë rast penal, sikurse në të gjitha rastet tjera do të veprohet duke respektuar legjislacionin në fuqi”.

Sipas Kodit të procedurës penale të Kosovës, dëshmitari i cili është thirrur me rregull, nuk paraqitet dhe nuk e arsyeton mosparaqitjen, gjyqtari me kërkesë të prokurorit të shtetit mund ta detyrojë atë që të jap dëshminë. Sipas këtij Kodi, mosparaqitja e dëshmitarit mund të dënohet me gjobë deri 250 euro.

“Nëse dëshmitari vazhdon të refuzojë të dëshmojë pasi që është dënuar me gjobë, ai mund të burgoset dhe burgimi zgjat derisa dëshmitari nuk pranon të dëshmojë apo derisa dëshmia e tij bëhet e panevojshme, ose derisa procedura të përfundojë, por jo më shumë se një muaj”, thuhet në Kodin e procedurës penale.

Prokuroria e Posaçme e Kosovës e thirri kryeministrin Albin Kurti të dëshmojë në një rast që lidhet me një vepër penale të paraparë me nenin 414 të Kodit Penal të Kosovës por pa dhënë ndonjë hollësi rreth rastit. Me këtë nen sanksionohen veprat që kanë të bëjnë me “keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Thirrja e prokurorisë së Posaçme për kryeministrin Kurti ka të bëjë më një proces rreth “rezervave shtetërore”, rreth të cilit në gusht të vitit 2023 qenë arrestuar tre persona, dy nga të cilët punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Zyra e kryeministrit të Kosovës tha se ka dyshime të forta që thirrja nga Prokuroria nuk ka motiv ligjor, por politik për shkak të siç thuhet, dështimit për vite me radhë në ndjekjen e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë dhe në vend të trajtimit të këtyre problemeve, po tenton të krijojë një perceptim të rrejshëm kundër Kryeministrit.

VOA

Written by: pradm

Rate it