HISTORI

Edhe një herë për etnomin “shqiptar” dhe fjalen “shqiptar”

todayMarch 24, 2025 2

Background
share close

Nga Mimoza Karagjozi Kore

Në një artikull të para disa ditëve në “Peizazhe të fjalës”, Anila Omari solli në vëmendjen e lexuesve njësi leksikore prej fjalorit të F. M. Da Lecces (1702). E nga ana tjetër, në një shkrim vijues, po këtu, prej Ardian Vehbiut u trajtua në planin historik dhe çështja e dy kryedialekteve tona. Të dyja këto më bënë të përsiat edhe një herë në çështjen e etnonimit tonë Shqiptar dhe kuptimit parak të fjalës Shqip duke marrë shkas nga gjetje dialektore në Studime etimologjike të Eqrem Çabejt. Botimi i Fjalorit të Da Leeces, kishte krijuar një boshllëk prej mbi 300 vjetësh në studimet albanistike, prandaj edhe sot mbetet një bankë të dhënash për studiuesit për të njohur më mirë shqipen e fundshekullit të XVII. Por edhe në dialekte e të folme të veçanta mund të qëmtohen ende njësi leksikore dhe tipare të konservuara të gjuhës shqipe, të cilat përbëjnë një burim të rëndësishëm të dhënash për historinë e gjuhës.

Deri sa u botua Fjalori i Da Lecce-s, ajo çka dihej në botën shqiptare e dëshmuar, ishte fakti se emri shqiptar na dilte për herë të parë i shkruar në aktet e Kuvendit të Arbënit më 1703 (botuar më 1706). “Para se të hinjënë Misionarët me rëfyem,…a dine mir giuhën e shqipëtarëvet…”

Me botimin e Fjalorit të Da Lecces (DITTIONARIO Italiano-Albanese (1702), përgatitur nga Gëzim Gurga, Shkodër, 2009) gjejmë apelativin ri kur autori shpjegon arsyen përse e ka shkruar: “Këtë Diktionār oh Shqipëtāri i dashun, e skrova jo për zotinī ande, qi di mā fort se unaj, veç për vetëhe, qi jam për së largu, e gjuhënë e shqipëtarëvet e kam posi nji kafshë të huojë…”

Edhe pse shtyrja më në thellësi të kohëve prej katër vitesh e dëshmimit të emrit shqiptar prej Kuvendit të Arbënit në krahasim me Da Lecce-n, nuk është një periudhë shumë e gjatë, për historinë e gjuhës shqipe merr një rëndësi të veçantë, sepse duke qenë fushë studimi që operon me dokumentacionin gjuhësor, i cili për shqipen është i vonë me shkrim, është e rëndësishme që të shtyhet ngadalshëm në errësirë “por me këpucë plumbi” siç udhëzonte E. Çabej, pra, bazuar në fakte  shkencore.  Emërtimi Shqipëtāri në hyrje të Fjalorit përkon me  kuptimin e përdorur te Kuvendi i Arbënit, pra me atë që ka në ditët e sotme, por s’ndodh kështu në brendësi të Fjalorit, ku Da Lecce zërat shqipShqiptār ishqipinī i shpjegon përkatësisht:

shqip: creanza “edukatë; dituri”

shqipëtār: parlatore “gojëtar, ai që flet mirë”

shqipinī: creanza; reverentia; termine “edukatë” (Fjalori, f.823)

Me kuptimin e toponimit të sotëm Shqipëri dhe etnonimit shqiptar Da Lecce përdorte:

Albania – Arbën, i, it; Arbënī, a, së

d’Albania – prej Arbënit; arbëneshë (Fjalori, f.113)

Matteo Mandalà zëvendësimin e tyre me “Shqiptāri” e “Shqipinī”, nisur nga kuptimi që ato kanë në Fjalorin e Da Lecces, e shpjegon me statusin nderues që po merrnin këto fjalë në shoqërinë shqiptare të asaj kohe: “Në këtë mënyrë të qenit shqiptar do të thotë anëtar me një status të lartë shoqëror dhe institucional brenda  bashkësisë…  Këtë e  dëshmojnë edhe  kuptimet e mbiemrit i pāshqip i pamoral, i pandershëm”.1

Në Parathënie Da Lecce e përdor drejt etnonimin tonë në togun “oh Shqipëtāri i dashun”, ndërsa në brendësi të Fjalorit kuptimin e jep ndryshe, e kjo tregon se Parathënien e ka shkruar ndoshta disa vite më vonë ashtu siç ndodh rëndom dhe sot kur shkruhet vepra më parë e parathënia pasi ka përfunduar ajo. Kjo na jep të kuptojmë se brenda pak vitesh, në fundin e shek. XVII, në trevat e Veriut të Shqipërisë, nuk ishte konsoliduar ende përdorimi i emrave etnikë të rinj. Kjo vërtetohet edhe me faktin që të njëjtën hyrje të ngjashme me Fjalorin, Da Lecce ka shkruar edhe për Gramatikën e tij, por në të, në vend të fjalës “Shqipëtāri” përdor: “Arbënuer i dashun-ket gramatiken; e shkrova jo per zotnī tande…”. Kjo na bëri të dyshojmë që Gramatika, pavarësisht vitit të botimit (1716), duhet të jetë shkruar përpara Fjalorit, që daton më 1702. E këtë na i vërteton edhe Gaetano Petrotta i cili thotë se: “Da Lecce e paralajmëron lexuesin kureshtar se për të mësuar gjuhën shqipe nuk  mund të mjaftojë ky fjalor, por lipset të studiojë edhe Gramatikën e tij…e se kur të botohet Fjalori do të marrë ndonjë sqarim rreth shqiptimit. Prandaj At Da Lecce  e kishte hartuar gramatikën e tij para fjalorit, të cilin ai vetë pohon se e ka shkruar me dorën e tij më 1702”2

Një trajtim të gjerë në planin gjuhësor, etnologjik e antropologjik i ka bërë etnonimit tonë Bardhyl Demiraj në veprën “Shqiptar” (Tiranë, 2010). Përveç trajtimit të çështjeve intriguese si: pse u zëvendësuan arbën/arbër me shqiptar, kur ka ndodhur ky zëvendësim, ai ka sqaruar dhe rrugën fjalëformuese, duke vlerësuar si zgjidhjen më bindëse për rrugën e formimit të etnonimit shqiptar atë të propozuar së pari nga Hahni, që merr për bazë pjesoren e foljes shqipoj – shqipët e cila me prapashtesën -ar ka dhënë emrin shqiptar.

Po cili është kuptimi i fjalës shqip që gjendet në bazën e foljes shqipoj? Në një analizë të thukët që ndërmerr edhe Ardian Vehbiu për këtë problem përmbledhtas ai shprehet: “…etimologut i duhet të kthjellojë nëse kuptimi i parë i fjalës shqip ka qenë ai i gjuhës, apo kuptimi tjetër “qartë, troç” të cilat të dyja ruhen edhe në shqipen e sotme; apo edhe, pse jo kuptimi i rrallë “nder, mirësjellje, edukatë,” që ndeshim në fjalorin e Da Lecce-s.”3

Po folja shqipoj shqiptoj që ka në bazë shqip me ç’kuptim na del në gjuhën shqipe?

Këtu do të sillnim në vështrim të dhënat nga dialektet e të folmet e veçanta. Deri më sot si shembull sillej dëshmia nga diaspora shqiptare e Ukrainës që u shkëput drejt këtij vendi qysh prej shek XVII-XVIII. Aty fjala shqipoj apo shqiptoj ka kuptimin kuptoj: “nok zallahit” por shqipton (nuk flet, por kupton) ashtu si e shpjegonte G. Meyer pas hullisë së G. Von Hahn-it duke e lidhur me foljen e latinishtes excipio “kuptoj, dëgjoj”. Po lind pyetja, brenda vendit tonë, në të folme të veçanta a mund të gjendet një dëshmi e tillë sot?

Kam qenë dëshmitare e të dëgjuarit të një fjale të tillë prej brezit të vjetër në qytetin e Gjirokastrës, por nuk e kemi ndeshur gjëkundi të dokumentuar, p.sh: Thuaje prapë se nuk të shqipëllojta mirë! Merret me mend habia dhe entuziazmi kur e hasëm papritur në veprën që zë kryet e vendit në studimet tona gjuhësore, Studime Etimologjike të E. Çabejt, (shtatë vëllime). Edhe pse e kemi pasur gjithë kohën para syve tanë, vëmendjen e kemi përqendruar në prurjet shkencore e jo sa duhet edhe në gjuhën vetjake të E. Çabejt. Kjo vepër, e parë në tërësinë e saj, i ofron material studimor jo vetëm etimologut e historianit të gjuhës, por dhe dialektologut, etnologut, folkloristit etj. Këto janë vënë në dukje edhe më parë nga studiuesit. Por, nga ana tjetër, kjo vepër madhore ruan edhe tipare të gjuhës dialektore amtare të këtij gjuhëtari. Edhe kur është botuar (e do të ribotohet së shpejti, përsëri) është pasur parasysh të bëhet kujdes që të ruhen tiparet e ligjërimit vetjak si edhe të gjuhës letrare individuale të kryegjuhëtarit tonë, të cilat dëshmojnë jo vetëm për këndvështrimin gjuhësor të tij në drejtshkrimin e disa fjalëve, por në të gjenden dhe shumë njësi e trajta leksikore të qytetit të Gjirokastrës, së folmes së vendlindjes së tij, e cila bashkë me çamërishten përbëjnë të folme periferike skajore të shqipes. Qysh prej M. La Pianës4 është vënë në dukje arsyetimi i ruajtjes së elementeve arkaike, mbështetur edhe në kritere gjeografike, duke dalë në konkluzionin se në zonat periferike ruhen më mirë elementet gjuhësore të vjetra, të cilat sa më larg të jenë nga qendra e rrezatimit, aq më shumë konservatore dhe të huaja ndaj ndryshimeve paraqiten.

Brezi i vjetër në qytetin e Gjirokastrës e përdorte foljen shqipëlloj në kuptimin e parë të saj “kuptoj”. Edhe prof. Eqrem Çabej, në gjuhën e tij, bazuar në të folmen e vendlindjes e përdor ngjashëm, si edhe me ndonjë shtesë kuptimi leksikor. Ja dy shembuj që kemi gjetur:“…e vetë e shqipëllon [shën. ynë: e kupton, e percepton] si fjalë onomatopeike ose si të dalë prej një thirrme” (SE III (C – D), f.61) ose “Nga etimologjitë e fjalës, i drejtë mbetet shqipëllimi [shën.ynë: interpretimi] me mjetet e brendshme të gjuhës…” [po aty: f. 75 sipas skedës]

Ja përse për studimin e historisë së gjuhës shqipe marrin një rëndësi të veçantë të folmet dialektore, të cilat duhen parë si thesare ku ruhen relikte gjuhësore të cilat hedhin dritë e ndihmojnë në sqarimin e problemeve të diskutueshme.

Referenca

1 M. Mandalà, Shqip, shqipëtar, shqipëni në Fjalorin e pabotuar (1702) të Francesco Maria da Lecce-s, në “Vepra themelore në albanologji”, Q.S.A, “Botimet Albanologjike” Tiranë, 2019, f.149-162.

2 G. Petrotta, “Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare”, Botimet “Almera”, 2008, f.113.

3 A. Vehbiu, Shqipi i Da Lecce-s në “Peizazhe të fjalës” 16 janar, 2013.

4 M. La Piana, “I dialetti siculo-albanesi”, in: Studi linguistici albanesi. Varia 1949, ribotuar në Albanesi in Sicilia/ Giunta… [et al.]; a cura di Matteo Mandalà, A.C. Mirror, Palermo, 2003, f. 100 (conclusione)

Written by: pradm

Rate it