HISTORI

Dom Mark Gjani (I Lumi dom Mark Gjani)

todayJune 7, 2025 3

Background
share close

I Lumi dom Mark Gjani “ёshtë vërtet martir i fesë katolike”, pohoi pёr tё imzot Frano Illia. Madhështia e tij është pikërisht sepse i tha “jo” jetës së tij për t’i qëndruar besnik Krishtit, fesë, thirrjes së vet meshtarake; si një nga dëshmorët e parë të krishterimit në Shqipëri. Biografi si ajo e dom Mark Gjanit janë dhe mbeten një nder për të gjithë kombin tonë shqiptar.

I lumi dom Mark Gjani, i biri i Palokës dhe i Nushës, me orgjinë prej Xhanit të Dukagjinit, lindi më 10 korrik 1909 në Shën Gjergj të Malit të Zi, ku jetoi deri në adoleshencë. Më pas, duke ndier thirrjen meshtarake, hyri në Seminarin Papnor në Shkodër duke zgjedhur të jetë pjesë e Abacisë së Oroshit në Mirditë.

Pas përfundimit të studimeve në Shkodër u dërgua të vazhdojë teologjinë në Genova të Italisë, ku qëndroi për 4 vjet: 1938-1942. Gjatë kësaj periudhe, por edhe më vonë, do të ketë një shkëmbim të dendur letrash me mikun e tij, dom Kol Gavoçin, i cili për 60 vjet i ruajti këto letra. Falë kësaj korrespondence na del një portret i qartë i figurës së këtij djaloshi e meshtari të vendosur. Edhe pse nuk qenë të pakta vështirësitë për t’iu përshtatur ambientit të ri italian, ai arriti t’i përshtatej e të ketë rezultate shumë të mira në mësime. Nga letrat dhe dëshmitë vihet në dukje se është një person i dashur, i formuar mirë, i pjekur, gazmor, por edhe që nuk fliste kot, nuk gënjente kurrë, si edhe ishte i drejtpërdrejtë. Ka një dashuri të dukshme për atdheun, një ndjenjë të fortë lidhjeje me Kishën dhe Papën, si dhe një dashuri të veçantë për ipeshkvin e tij, të lumin Imzot Frano Gjinin.

Në të njëjtën kohë, një aspekt që karakterizoi jetën e tij të re, qe shpirti i dashurisë dhe i shërbimit. Në ecurinë e tij del në pah një gatishmëri e zell për t’u bërë meshtar. Në letrat e tij shpesh lexohet ftesa për t’u lutur për të. Bie në sy në të gjithë ecjen e tij si seminarist e si meshtar se e la veten të udhëhiqej në gjithçka nga Nëna e Jezusit. Devocionin e sinqertë ndaj saj, përveçse e kishte mësuar dhe thelluar në familje, e përforcoi shumë në Genova, falë edhe etërve vincencianë që përhapnin devocionin ndaj Medaljes Mrekullibërëse. E, ashtu si Virgjëra Mari, u tregua i gatshëm që të kujdesej për trupin mistik të Krishtit, të cilit i shërbeu aty ku ipeshkvi e caktonte.

U shugurua meshtar më 21 mars 1942 në moshën 33-vjeçare, në kriptën e abacisë së famshme të Shën Kolombianit në Bobbio (Piacenza, Itali). Periudha e tij meshtarake zhvillohet në Mirditë, në Orosh, si famullitar dhe sekretar i ipeshkvit. Kur komunistët do të arrestojnë famullitarin e Kthellës, atëherë do të mbulojë edhe atë zonë për pak kohë, se më pas arrestohet edhe ai vetë.

Besimtarët e kujtojnë si një bari të mirë e të zellshëm, gjithmonë të gatshëm, dashamirës dhe komunikues. Thoshin se ishte i butë si engjëll dhe krejt i pastër. Fliste bukur dhe njerëzit e dëgjonin me kënaqësi: “Me nji za të ambël, të shtruem, thue se ishte mirditas, fliste për fenë e krishtenë, kulturën e problemet shoqërore të trevës së Mirditës e të mbarë vendit”.

E ndërsa ai dhe ipeshkvi i tij, imzot Gjini, i kushtoheshin me mish e me shpirt popullit të Hyjit, jo pak ngjarje rrodhën në Shqipëri: rënia e fashizmit, largimi i trupave gjermane dhe ardhja në fuqi e forcave komuniste me në krye Enver Hoxhën. Kur stuhia u bë më e madhe e besimtarët e këshillonin të kishte kujdes në pritje të kohëve më të mira, ai ishte plotësisht i bindur se bariu duhet të qëndrojë atje ku janë besimtarët e vet, prandaj nuk dëgjonte të largohej.

Gjithçka filloi të shkretohej rreth e rrotull. Ipeshkvi i tij, Imzot Gjini, u transferua si ipeshkëv i Lezhës, por goditja më e madhe do të vinte me arrestimin e tij. Ndërkohë ishte arrestuar dom Nikollë Kimza, famullitar i Kthellës. E dom Marku, si kurrë më parë, arriti të kapë domethënien dhe shijen e fjalëve drejtuar nxënësve nga Mësuesi Hyjnor: “Nuk është shërbëtori më i madh se zotëria i tij. Nëse mua më salvuan, edhe ju do t’ju salvojnë”. E dom Marku thirrjes nuk diti t’i thotë “jo” e nuk mund t’i shmangej Dashurisë. Ai vetë, gjashtë vjet më parë, kur as nuk imagjinohej një situatë si ajo që po ndodhte, i kishte shkruar mikut të vet, Gavoçit: “Kur niri sakrifikon vedin për një ideal si i yni çëdo vështirsi me ndihmë të Zotit del e kolajshme pse à i sigurtë niri në duerë të gjithpushtueshmit”. E kësaj bindjeje rinore dom Marku i qëndroi përherë besnik.

Nuk vonoi të mbërrijë edhe ora e tij. U arrestua në Kalivar në vitin 1947. Si një keqbërës të frikshëm e çuan në burgun aty afër, në Shpal. Nuk u zhvillua asnjë proces gjyqësor. U mor në pyetje dhe u torturua me qëllim që ai të mohonte Krishtin dhe besnikërinë e tij ndaj Kishës. “Pasi e goditën me shkopinj për një javë rresht, ia dogjën këmbët me shufra hekuri të skuqur dhe me darë ia shkulën mishin në pjesë të ndryshme të trupit të mbushur me plagë”.

Kërkesës së komunistëve që ta mohonte Krishtin u përgjigjej duke bërë dëshmi të madhe: “Rrnoftë Krishti Mbret!”.  Nikollë Përndoj, që ishte në të njëjtin burg me të, me lot në sy ka treguar se si e torturonin dom Markun. Ashtu të sakatosur e varën për sqetullash te një tra e kështu pa gjykim e dënim e lanë të vdiste nën tortura. Më pas e lidhën me një litar dhe e tërhoqën zvarrë në shpatin aty afër ku trupin e hodhën në përrua. U la aty që ta shqyenin qentë dhe zhabat, me urdhrin që të mos e varrosnin. Por, siç shkruan Gjon Mark Ndoj: “I humbi varri, por jo kujtimi”. Kështu, 38 vjeç, plot merita, u bashkua me Krishtin Hyjnor. Si shumë të tjerë vuajti dhe vdiq për bashkimin e tij me Kishën universale dhe besnikërinë ndaj Papës, bir i devotshëm dhe shërbëtor besnik e i zellshëm i të cilit u ndie dhe qe.

Imzot Frano Illia, kur i është kërkuar të bëjë një vlerësim mbi jetën dhe vdekjen e dom Markut, nuk ka hezituar të shkruajë: “Është vërtet martir i fesë katolike”. Madhështia e tij është pikërisht sepse i tha “jo” jetës së tij të re për t’i qëndruar besnik Krishtit, fesë, thirrjes së vet meshtarake; si një nga dëshmorët e parë të krishterimit në Shqipëri. Biografi si ajo e dom Mark Gjanit janë e mbeten një nder për të gjithë kombin tonë shqiptar.

Written by: pradm

Rate it