Radio Atdhetaret Këngët më të zgjedhura
Boll
Dasma shqiptare Alban Mehmeti
Shendrit dielli në shpat e n´lugje Afrim Muqiqi
Thrret Prizreni mori Shkoder Fatmira Brecani & Aurela Gaqe
Oj molla e kuqe Fatmira Brecani & Artan Kola
Hajde mori nuse Abedin Zenuni & Fatmira Brecani
Për ju do të këndojmë Abedin Zenuni& Fatmira Brecani & Ervin Gonxhi
Potpuri Dasmash Alma Velaj & Suad Shaptafi
Mori qikë Arben Gjeloshi & Elvira Fjerza
Hajde nuse Aferdita Demaku
Kumtesë e mbajtur nga autori në shkurt 2000 në Athinë, në një aktivitet të Lidhjes së Shqiptarëve Ortodoksë në Greqi “Shën Asti”.
Foto e asaj dite: Aristidh Kolja dhe Foti Cici.
Nuk do t’ju flas si teolog, por si historian. Domethënë, fjala ime mund të kishte titull “Kontributi i Arvanitasve në islamizëm, bektashizëm a katolicizëm”. Por sot, jam i ftuar nga bashkësia e shqiptarëve ortodoksë të Greqisë dhe nga miku im i mirë, zoti Foti Cici, dhe do të kufizohem në ndihmesën e arvanitasve në Kishën Ortodokse.
Kur themi ortodoksi, nënkuptojmë ato modele kristiane të cilat u krijuan dhe u konsoliduan në lindje të shtetit romak, në Bizantin e mirënjohur, pas skizmës së kishës se bashkuar të krishterë, në atë Lindore dhe Perëndimore, apo në ortodoksë dhe katolikë.
Përveç mosmarrëveshjeve dogmatike, të cilat sipas mendimit tim janë të parëndësishme, ajo që krijoi një çarje të pakapërcyeshme, ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve, ishte pretendimi i parësisë absolute midis Romës dhe Kostandinopojës.
Dhe cila ishte pasoja më e rëndësishme? Zgjedhja e gjuhës greke në Kostandinopojë dhe asaj latine në Romë; latinizmi i fesë në Romë dhe helenizimi në Kostandinopojë, një helenizim që gjen fytyrën me ideale më vonë, sidomos në kohën e epokës pasbizantine.
Kjo epokë pati lidhje të ngushtë edhe me zbritjen e arvanitasve në jug të Greqisë, për kontributin e të cilëve do të flas me poshtë.
1. Dardani Kostandini i Madh – krijues i Kostandinopojës
Meqenëse ortodoksia është e lidhur si mishi me kockën me Bizantin, do të bëjmë një hyrje përmbledhëse.
Dihet se themeluesi i Bizantit ishte një ilirjan i njohur nga Dardania. Kostandini i Madh, i cili ka prejardhje nga Nishi i Dardanisë së vjetër, Nishi i sotëm, pas fitores së tij ndaj Likinit, dhe si grumbulloi të gjithë pushtetin e Perandorisë së paanë të Romës në duart e tij, mendoi të bëjë kryeqytet të perandorisë së madhe qytetin e lashtë të Bizantit, që gjendet në brigjet e Bosforit, nga ku lidhet e ndahet Evropa nga Azia. Historianët thonë se zgjodhi atë vend me qëllim që të gjendet kryeqyteti në zemër të perandorisë. Në qoftë se do të shikoni hartën e perandorisë, do të vëreni se në qendër është Roma dhe jo Kostandinopoja.
Një vështrim në mitologjinë e pasur dardane na tregon se dardani, Kostandini i Madh, nuk bën asgjë tjetër, veçse të ndjekë gjurmët e paraardhësit e tij të madh, të dardanit Poliark, i cili ishte i pari që ushtroi dhe zbatoi planin në Azi, plan që bëri të pushtojë shumë lehtë të tërë Azinë kontinentale, duke arritur deri në Indi dhe Kinë. Me të drejtë në legjenda përmendet si “Dardani Paliark” sepse ai “solli shumë popuj e kombe në Azi”. Fëmijët dhe pasardhësit e tij do të ndërtojnë kryeqytetin e shtetit të madh të tyre, pak me poshtë nga Kostandinopoja. Ai qytet është Troja ose Ilion (Dielli).
Dardanët janë një nga degët më të lashta pellazgjike, bashkë me jonët dhe kadmeonët, si dhe arkadët. Banonin në trevat ndërmjet Epirit, Shqipërisë së sotme, Maqedonisë perëndimore, Maqedonisë së sotme veriore dhe Kosovës.
Gjatë epokës klasike dardanët gjenden në rënie të plotë dhe konsiderohen racë ilire, siç duket për arsye të trevave ku banonin dhe tjetërsimit të gjuhës shqipe dhe kulturës. Por duhet të kemi parasysh se kombësimi dardan është shumë i lashtë, ndërsa emërtimi si komb ilir, del në sipërfaqe pas rënies se Trojës. Homeri nuk e përmend. Akoma dhe emërtimi “thesprotë” përmendet më parë, se është më i vjetër se emërtimi kombëtar ilir dhe epirot, ndërsa nga epoka klasike thesprotët janë pjesë e epirotëve.
Kjo dukuri ngjet edhe në Greqinë e jugut, ku etnonimet “jonë” dhe “akei” janë sigurisht më të lashta, por pas mitit të Trojës konsiderohen më të lashtë helenët.
Sidoqoftë, dihet se ilirë quheshin në epokën pasdorike të gjithë pellazgët e Ballkanit veriperëndimor. Të shumtë janë perandorët ilirë të perandorisë së përbashkët romake, por edhe të Bizantit, ndërmjet të cilëve Kostandini i Madh, nipi i tij Justiani, i vetmi dhe i fundit që u përpoq të rezistojë ndaj katastrofës së qytetërimit greko-romak dhe të veprimeve që ndërmerrnin të krishterët fanatikë të epokës së tij.
Ilir ishte edhe Anastasi I, Dikori dhe Justiani, i cili duket se rrethohej nga funksionarë të rëndësishëm ilirë, madje njeri prej tyre, Mundos, kam përshtypjen se emri i tij rrjedh nga fjala “mund” (fitoj). E së njëjtës rrënjë duhet të jetë edhe ajo e maqedonishtes së lashtë Amindas-anikios (i pamundur, i pamposhtur), kështu dhe Pa-mund (pamund), pamindas-amindas.
Të gjithë perandorët, përveç Justianit, duke mbështetur shtetin Bizant, në mënyrë të vendosur përkrahnin dhe mbështesnin përforcimin e krishtërimit dhe në mënyrë të veçantë profilin e tij ortodoks.
Në mjedisin e Ilirisë së vjetër si peshkop i parë i Durrësit përmendet Asti, ose Astiu, i cili u martirizua në epokën e Trajanit në vitin 98 pas Krishtit. Thuhet se e lyen me mjaltë dhe vdiq nga thumbimet e bletëve, prandaj u shkrua se “Asti, duke qenë qesharak, gjeti vdekje qesharake, duke u lënë në mëshirë të bletëve ta copëtojnë me mjaltë…”.
Pikërisht këtë emër, të peshkopit të parë të Durrësit dhe të këtij shenjtori të ortodoksisë, i cili përkujtohet e festohet më 6 korrik, kërkon të marrë dhe bashkësia e ortodoksëve në Greqi, e cila po bën hapat e para.
Njëri nga shenjtorët më të nderuar të Epirit dhe Shqipërisë së Jugut është Shën Donati, jeta e të cilit dhe mrekullitë janë mbështjellë me mite të mjegullta të lashtësisë së krahinave në fjalë.
Si shembull mund te përmendim rastin e legjendës së shfarosjes së dragoit, i cili ruante burimin, duke lënë pa ujë jetëdhënës të gjithë banoret e krahinës. Një tjetër çudi e tij na bën të kujtojmë legjendat shumë të lashta të dragoit të Arias nga Kadmoja (Kadmoja ilire), të shfarosjes së Dragoit të Pithias nga Apoloni persian, dhe së fundi përjetimi i legjendës në fjalë, nëpërmjet jetës dhe mrekullive të Shën Gjergjit.
Janë të shumtë shenjtorët që i shërbyen krishtërimit dhe në mënyrë të veçantë ata të besimit të krishterë ortodoks në krahinat e Epirit dhe Shqipërisë, prej të cilëve kanë prejardhje të gjitha degët helenike, por edhe arvanitasit tanë.
Punimi i Foti Ikonomit, “Jetëshkrimi i të gjithë shenjtorëve të Epirit”, është shumë udhërrëfyes dhe me interes të veçantë. Titulli i këtij punimi sigurisht që përmend dhe preokupohet me Epirin, por siç dihet, këtu e shumë shekuj, në atë emër (Epir) evidentohet dhe e gjithë Shqipëria, përderisa për synime të caktuara dhe dritëshkurtëra, emri Shqipëri dhe shqiptar është si një qymyr i shumëçmuar në duart tona dhe nuk dimë në ç’vend ta mbështesim.
Që të rikthehemi tek shenjtorët dhe martirët më të njohur, të cilët ose u lindën në krahinat e Epirit dhe të Shqipërisë, qoftë se propaganduan dhe u martirizuan atje, të themi se në Thesproti u martirizua gjatë shekullit të dytë pas Krishtit shenjtorja E Premte (Paraskevi), një shenjtore e cila ka lidhje të ngushta dhe nderohet në mënyrë të veçantë nga arvanitasit e Greqisë (Sin e Premte). Atje në Thesproti, në manastirin e hirshëm të Bundas, gjendet varri me trupin pa kokë të saj.
Dihet se arvanitasit nderonin Shën Gjergjin dhe Shën Mërkurin si shenjtorë luftëtarë. Dhe ndërsa Shën Gjergji nuk duhet të ketë ndonjë lidhje me Ballkanin, përkundrazi, Shën Mërkuri përmendet si me prejardhje skithe nga teologë dhe biografë të ndryshëm. Megjithatë, siç thamë edhe më parë, personaliteti i shenjtorëve, ashtu siç është krijuar dhe paraqitur me ngatërrimin e legjendave, i sjell në Ballkan dhe i krijon me modele të adhuruar popullorë nga e kaluara e lashtë.
2. Shën Kozmai nuk u vra nga Ali Pasha
Nga krahinat e Epirit dhe të Shqipërisë ka prejardhje dhe Shën Kozma Etoliani. Ndërsa ai vetë u lind në Etoli, prandaj dhe quhet etolian, prindët e tij kishin zbritur nga krahina ku ai më vonë dha mësim.
Jeta dhe vepra e Kozmait është shumë e njohur. Atë që do të doja të qartësoja është se nuk u vra nga Ali Pashë Tepelena, ashtu siç përpiqen ta kalojnë në publikun grek disa “biografë”, duke i shërbyer një qëllimi pa vlerë, dëmprurës dhe të shëmtuar, që shumë nga ne e njohim. Përkundrazi, Kozmai ishte marrë në mbrojtje nga Ali Pasha dhe me ndërhyrjet e tij, Patriku e shenjtëroi dhe u ndërtua kisha e parë për nder të tij dhe që mban emrin e tij.
Ekziston gjithashtu një plejadë e madhe shenjtorësh e martirësh nga krahina e Epirit, siç e quajnë, dhe e Shqipërisë, të cilët u dalluan në luftën për besimin ortodoks dhe kundër myslimanizmit, gjatë kohës së pushtimit osman. Shumë prej tyre ishin dhe “kriptokristianë” (të krishterë të fshehtë), ose myslimanë të brezit të dytë ose të tretë, që dëshironin të ktheheshin në fenë e të parëve të tyre, ose duke shpallur publikisht besimin e tyre, dhe për pasojë të pranonin ndëshkimin e rreptë që parashikonin ligjet islamike. Ligji islamik ndalonte ndërrimin e besimit me forcë, d.m.th. nuk detyronte askënd të bëhej mysliman me zor, por në qoftë se dikush vullnetarisht bëhej mysliman, dhe në vazhdim denonconte dhe fyente Kuranin, i nënshtrohej ndëshkimit.
Ndërmjet atyre shenjtorëve dhe martirëve është edhe Shën Joani nga Janina, Nikolla nga Mecova, Kristo nga Preveza, Nikodimi nga Elbasani, Anastas Gëzofi, Kristo Kopshtari ose Arvanitasi, Anastasi nga Paramithia, Panajoti nga Delvinaqi, Zaharia nga Arta, Dhimitri nga Samarina, Joani nga Konica, Gjergji nga Janina dhe Nikita Arvanitasi.
Shën Nikita Arvanitasi është nga Shpati, banorët e të cilit kishin si fe zyrtare atë myslimane, por mbetën të krishterë në fshehtësi. Në vitin 1904, me ndërhyrjen e Rusisë, shpatarakët shpallën besimin e tyre të krishterë dhe Sulltani e pranoi pa zë.
Shën Nikita Arvanitasi lindi ne vitin 1760 dhe kur e ndjeu se duhej të kthehej në fenë e mëparshme të paraardhësve të tij, shkoi në Malin e Shenjtë dhe agjëroi në sketën e Shën Anës. Veçse dukej se torturohej nga ndërgjegjja, sepse prindët e tij ishin bërë myslimanë, por mbetën të krishterë të fshehtë për arsye të frikës ose dhe interesit, dhe kjo e nxiti të marrë barrën e vet të ndëshkimit dhe spastrimit përfundimtar, duke shpallur publikisht kundërshtimin e tij ndaj fesë myslimane, duke gjetur kështu vdekjen shpëtimtare nga vuajtjet e ndërgjegjes, e cila ngarkonte gjithë familjen. U var me 19 shkurt të vitit 1809 dhe reliket e trupit të tij gjenden në sketën e Shën Anës në Athos.
Historikisht, duhet të kemi parasysh se sulltanët e Perandorisë Otomane, shtetëzonin pasuritë e të krishterëve, të cilët pushtonin e nënshtronin, dhe silleshin shumë rreptë ndaj atyre që i pushtonin pas një rezistence të madhe dhe të egër.
3. Njeri vëlla mysliman e të tjerët ortodoksë
Në vitin 1635 Sulltan Murati IV lëshoi një ferman, me anën e të cilit sa të krishterë do të bëheshin myslimanë, rimerrnin pasuritë e konfiskuara. Në të kundërt, i humbisnin ato përgjithmonë.
Shqiptarët dhe arvanitasit, duke dashur nga njëra anë të ruanin fenë e tyre tradicionale të trashëguar brez pas brezi, dhe nga ana tjetër të mos humbisnin dhe pasuritë, ndërmorën këtë sofizëm: njeri nga “fara” (fisi) bëhej mysliman, që të merrte të tërë pasurinë e familjes, dhe të tjerët mbeteshin të krishterë, dhe kështu me një gur vrisnin dy zogj.
Atë bënë edhe Grivejtë e Etolokarnanisë, pasardhës të derës së madhe të Bueve, të cilët në kohën e Gjin Bue Shpatës, zotëronin Epirin dhe Etolokarnaninë. Nipat e tij, pas nënshtrimit të vendit tek Karlo Tokko, ikën në Peloponez dhe në Atikë-Beoti, por pas 100 vjetësh kalojnë pasardhësit e tyre në Zante dhe që andej në Etolokarnani, ku në mënyrë të ligjshme morën drejtimin e asaj zone. Kështu pra, u bënë mjaft myslimanë dhe u ruajt një lidhje origjinale ndërmjet të krishterëve dhe myslimaneve për shumë vjet.
Është fakt gjithashtu se shumë prej tyre u bënë në mënyrë masive myslimanë për arsye të ndryshme, dhe kryesisht për gjakmarrje, ose që të përfituan nga favorizimet që u afronte ligji ndaj myslimanëve.
Sa nga ata pra, që ndiheshin keq, duke njohur besimin e prindëve dhe të parëve të tyre dhe mënyrën se si e ndërruan, vendosnin të riktheheshin në besimin kristian.
Disa të tjerë, i vriste kaq shumë ndërgjegjja, saqë kërkonin mënyra të ndryshme për të shlyer mëkatet e të parëve të tyre, njëfarë mëkati që u ngarkohej si trashëgimi mallkuese.
Ata quhen “neomartirë” (dëshmorë të rinj), të cilët vendosen në aksin kohor 1750-1850, dhe që janë kryesisht shqiptarë dhe epirotë.
Ndërsa arvanitasit e Greqisë së Jugut mundën të ruajnë më shumë besën e të parëve, meqenëse qenë të ndarë nga trupi kryesor amtar dhe në përgjithësi nderonin Shën Nikollën dhe domosdo Shën Kostandinin e Madh.
Ndër neomartirët e njohur është edhe Shën Joani Vrahoriti nga Konica. Lindi në fund të shekullit të 18-të në Konicë nga babai, i cili ishte murg në urdhrin e dervishëve, prandaj dhe në jetëshkrimin e tij thuhet se ka prejardhje “qelbanike”, d.m.th. me rrënjë të qelbura.
Të gjitha këto teprime identifikohen sigurisht në një luftë, në një dyluftim të rreptë të fanatizmit fetar, ku ngatërrohet edhe përcaktimi kombëtar, në një kohë kur kishte tension të madh midis Turqisë dhe Greqisë.
Shën Joan Shkëmbori, pra, në moshën 20-vjeçare u inkuadrua edhe ai në grupin e dervishëve, sipas dëshirës së të atit dhe emri i tij ishte Hasan. Por siç duket, erdhi në kundërshtim me të atin dhe deshi të kthehet në besimin e vjetër, duke e shpallur publikisht konvertimin e tij në fenë e krishterë.
Më 23 shtator 1814 iu pre koka në Vrahori (Agrinjo), prandaj dhe quhet Vrahoriti (shkëmbori). Trupi i tij u varros në një arë për pesë vjet dhe më 1819 Igumeni i Manastirit Prusu, pranë Karpenisit, Kiril Konstanofili, si u mor vesh me parësinë e Agrinjos, i zhvarrosi eshtrat dhe i vendosi mbrapa kishës së manastirit në një shkëmb, duke shkruar këtë epigram: “Nuk kam metal argjendi ose ari, veçse vetveten. Kurrë ky shkëmb të mos lëvizë”. Askush nuk guxonte të hapte “kriptin”, i cili u hap më në fund pas 150 vjetësh!
Manastiri i hirshëm Prusu është nga më të vjetrit në krahinë dhe nga më të famshmit në Greqi. Atje qëndroi dhe u mjekua për një kohë Karaiskaqi, dhe siç dimë ai bëri dhe një dhuratë që ruhet akoma. Ajo që ndoshta nuk është e njohur mjaft, është se shumica e godinave të manastirit Prusu janë vepër e duarve të arvanitasve dhe të frymëzuara gjithashtu nga njohuritë arkitektonike të tyre.
Është shpëtuar gjithashtu, përveç traditës gojore, një kontratë e vitit 1870, ku përmenden arkitektët e shumë ndërtimeve dhe restaurimeve, midis të cilëve edhe Zisi Vasili Micopulos nga Konica. Në një pllakë të murosur shkruhet emri i arkitektit Zisi Vasil Arvanitasi.
Ruhet akoma një rrëfim i kohës që ka të bëjë kryesisht me ndërtimin e konakëve për murgjit dhe vizitorët prej Ignatit nga Nehoriu i Kosturit, dhe i paraqitur nga Metodi Kafsokaliviti, i cili thotë: “Jashtë në oborr tek porta e madhe, atje mblidhen çdo ditë e rrinë miqtë, më shumë kohë qëndrojnë arvanitasit dhe çdo vit etolët nga Etolokarnania”.
Këta “arvanitas” nuk kane lidhje me arvanitasit, por me shqiptaret nga Epiri dhe Shqipëria, siç kuptohet. Është fundi i shekullit te kaluar dhe fillimi i shekullit të ri.
4. Zbritje masive e arvanitasve në Greqinë jugore
Në shekullin e 14-të kemi zbritjen masive të arvanitasve në Greqinë jugore. Shumë “historianë”, që nga pavarësia e Greqisë dhe deri sot, kanë dashur të zëvendësojnë emërtimin “arvanitas” me atë “epirotas”, duke besuar kështu se do t’i japin këtij populli rrënjë më fisnike. Është diçka si “katundar aristokrat”, që sigurisht nuk mund të ndryshojë thelbin dhe të vërtetën e historisë.
Para dyndjeve të arvanitasve nga i njëjti drejtim, kemi një vërshim të një populli tjetër, me pushtimin e sllavëve në shekujt e 6-të dhe të 7-të, pas të cilit emri etnik ilir zhduket dhe në shekullin e 11-të shfaqet emri etnik “Alvanoi”, “Arvanoi”, arvanitë dhe alvanitë. Ky emër etnik u shfaq nga banorët e krahinës Arvanon ose Albanon të Shqipërisë së Mesme, të cilët në atë kohë luanin një rol të rëndësishëm në krah të ushtrisë bizantine.
Historianët dhe shkrimtarët e huaj si dhe kronologët e kohës, identifikonin që këtej e tutje të gjithë popujt fqinjë të një gjuhe, me banorët e njohur tashmë nga Shqipëria, dhe kështu u përhap dhe u konsolidua emri etnik, duke e bërë të njohur si përfaqësues të një zone mjaft të gjerë me një popullsi unike. Si toponim, sigurisht është shumë i lashtë dhe që kishte prejardhje nga rrënjët alb-, që do të thotë i gjatë dhe i bardhë; Alba, Alpeia, alfiton, alb etj.
Sidoqoftë, e përsëris se arvanitasit vërshuan në mënyrë masive në shekullin e 14-të, duke ardhur nga të gjitha krahinat që përmendëm me lart.
Më 1345 u largua një pjesë e popullsisë nga Shkupi dhe Kosova, duke mos duruar presionin e tmerrshëm të serbëve të Stefan Dushanit dhe u ngulën në Shqipërinë e sotme, në Epir, duke sjelle atje artin shumë të lashtë të broncit dhe zejtarinë e tij, që e kishin trashëguar brez pas brezi.
Pak kohë më vonë, me themelimin e shtetit të Gjon Bue Shpatës dhe të Petro Loshit në Epir dhe Etolokarnani, shqiptarët shtyhen deri në këto zona. Pas pushtimit të Etolokarnanisë nga Karl Tokka me 1405, të tjerë kalojnë në ngushticën e Andiros në Peloponez, ku nga viti 1350 kishin ardhur e ishin ngulur aty, me ftesë të Manuil Katakuzinit, dhjetë mijë arvanitas të tjerë, ndërsa të tjerë shtyhen drejt lindjes në Bioti, Atikë dhe Ftiotidë, dhe të tjerë akoma më vonë shpërndahen në Eube dhe në ujdhesat e Argosaronikos dhe në Kiklades, në vende ku edhe më parë ishin ngulitur arvanitas të tjerë në mënyre masive, sipas dekretit të Petro D’ Aragonise në Atikë, në vitin 1382, dhe të Neri Anxhajolit dhe të Antonit përkatësisht, më 1388 dhe 1403.
Tashmë ortodokset e krishterë dhe sidomos ata që u ngulën në Nafplio, nën udhëheqjen e nipit të Gjin Bua Shpatës, vinin me leje perandorake të perandorit të Bizantit.
Në Peloponez ata luajtën një rol shumë të rëndësishëm në çlirimin nga frëngët, por kryesisht në mbrojtjen e tyre kundër pushtimit turk. Midis komandantëve të mëdhenj arvanitas ishte komandanti i Manit, Kronkodilos Kladas, Petro Bua Skliepi, Buzhikoja, të cilët luftuan për të mbajtur Peloponezin të lirë nga Turqit.
Është kaq vendimtare rëndësia e pranisë së arvanitasve në Peloponez në shekullin e 15-të, kaq sa një arvanitas, Nifoni II, kurorëzohet Patrik i Kostandinopojës.
Gjate shekujve XIV dhe XV kemi një zhvillim të rëndësishëm në të gjitha anët dhe kjo epokë lidhet në mënyrë të theksuar me praninë dinamike të arvanitasve në të gjithë Ballkanin, në të njëjtën kohë kur popujt i nënshtroheshin zgjedhës otomane. Domethënë kemi një zhvillim kulmor të shkurtër, që do të çojë në një rënie të madhe.
5. Rilindje e madhe e arkitekturës dhe e ikonografisë
Epoka e dyndjeve të arvanitasve në Greqi lidhet ngushtë me një rilindje të madhe të arkitekturës dhe të artit të ikonografisë, e cila largohet nga niveli i ngurtë i ngjyrave të errëta të kohës së hershme dhe të mesme të ikonografisë bizantine.
Tashmë kemi një bukuri që pothuajse prek modelet e lashta helenikë, me ngjyra të ngrohta dhe gazmore. Shenjat e para për një te ardhme me lëvizje dhe shprehje shpirtërore të theksuara, gjejnë shprehjen më të gjallë në kishat e Mistrasë dhe Peloponezit dhe në shkolla agjiografike të Panselinit (Hëna e Plotë) dhe të Theofanit të Kretës, i cili siç e kam theksuar, ndonëse mbiquhet Kris nuk punonte në Kretë, por në Peloponez, në Thesali dhe në Maqedoni, dhe emri i tij i vërtetë ka qenë Bathas. Ky është një mbiemër i pastër arvanitas dhe supozoj se duhet të jetë nga ata arvanitas që kishin çuar venecianët në Kretë, më 30 prill 1541, ose edhe më parë.
Theofani sjell në pikturat e tij njëfarë natyralizmi, i frymëzuar nga ngjarjet tronditëse të kohës dhe sidomos nga lufta e arvanitasve kundër turqve në Peloponez. Dukuria më karakteristike është karakteri epik në skenat me luftëtarët e tmerrshëm dhe fytyrat e tyre të egra, në të cilat mund të dallojmë luftëtarët arvanitas të epokës së tij. I famshmi Shën Mërkuri i Protatosit të Malit të Shenjtë, sigurisht që është frymëzuar nga legjendari Mërkur Bua, i cili pati shkëlqyer jo vetëm në Greqi, por në të gjithë Evropën me luftërat dhe fitoret e tij.
Në të njëjtën fushë të agjiografise është edhe Onufri i famshëm, me karakteret dhe ngjyrat e tij të pakrahasueshme dhe të papërsëritshme, dhe sidomos në të kuqen që vë vulën e tij në një epokë të tërë.
Në fushën e himnografisë dhe të muzikës kishtare kemi figurën e madhe të Jan Kukuzelit, i cili vulos gjithashtu shekullin e 14-të dhe ndriçon shekujt e ardhshëm deri në ditët tona.
Sigurisht, lufta e madhe për ortodoksizmin zhvillohet në Patrikanën e Kostandinopojës, e cila ka marrë bashkë me sulltan Mehmetin “e pathyeshëm” pushtet mbi ortodoksët e krishterë të ish perandorisë bizantine, dhe nuk do me asnjë mënyrë që të humbasë “delet” e saj (siç i quanin klerikët besimtarët), por përkundrazi, duan t’i shtojnë.
Ndihmës në përpjekjet e Patrikanës vijnë arkondë të pasur, të cilët kryesisht banojnë në Fanar të Kostandinopojës. Është një lagje ku banojnë kryesisht intelektualë dhe ortodoksë të pasur, të cilët nga njëra anë ndihmojnë Patrikanën, dhe nga ana tjetër i shërbejnë sulltanit si funksionarë, ministra, dragomanë, akoma dhe prijës të trevave rreth Danubit të Moldovllahisë, ku klasa sunduese përbëhet nga shqiptarë.
Prijës i Moldovllahisë, pra, me bekimin e Patrikut dhe përkrahjen e vezirëve, të cilët mjaft prej tyre janë shqiptarë (Qyprilinjtë), bëhen ortodoksët e Fanarit nga familje të mëdha arkondësh të Dukave, Suxhukëve, Gjikajve etj. Nga këto familje princash ka prejardhjen edhe Helena Gjika, e njohur në Evropë dhe në Greqi si Dora D’Istra.
6 Ipsillanti dhe shqiptarët e arvanitasit e Moldovllahisë
Me shqiptarët dhe arvanitasit e Moldovllahisë, domethënë të Rumanisë së sotme, do të bëjë kryengritjen Aleksandër Ipsillandis. Madje shumë prej tyre, ndër të cilët edhe Naum Veqilharxhi, i cili hartoi alfabetin e parë të gjuhës shqipe, ishin pjesëtarë të “Çetës së hirshme” (Ieros lohos).
Ishin të gjithë të krishtere ortodoksë. Gjithashtu, në Kostandinopojë gjendet lagjja Arnautkoi, që donë të thotë fshati i shqiptarëve, ku banonin shqiptarët më të varfër dhe shqiptarët e besimit ortodoks, të cilët deri në ditët tona përbëjnë mbështetjen kryesore të Patrikanës.
Siç vë ne dukje Athanasios Efthimiadhis në punimin e tij “Arvanitët e Kostandinopojës”, i cili u botua në vëllimin e parë të Arkivit të Kërkimeve Arvanitase, çdo i krishterë ortodoks shqiptar i Kostandinopojës konsiderohej grek, dhe çdo mysliman konsiderohej turk.
Ky dallim do të mbizotërojë në shekuj, deri në ditët tona, dhe e dini fort mirë se kisha, sidomos ajo greke, çdo ortodoks shqiptar e konsideron grek, ndërsa për katolikët dhe myslimanët ka mendim krejt të kundërt.
Afria e gjakut ndërmjet atyre që quheshin shqiptarë dhe atyre që quheshin helenë, ishte e njohur tek të mësuarit, të krishterë e myslimanë, madje këtë e dinte dhe populli i thjeshtë gjatë kohës së Revolucionit grek të vitit 1821. Ashtu siç thamë, myslimanë dhe të krishterë luftua si vëllezër që të dëbojnë halldupët turq të Anadollit. Mjerisht, kjo nuk mundi të vazhdoje gjatë dhe fanatizmi fetar ndau vëllezërit dhe i bëri armiq.
Ky fakt historik është shumë i rëndësishëm dhe duhet të na japë mësime. Historia ka vlerë dhe rëndësi thelbësore, kur bëhet udhërrëfyese për të ecur përpara dhe mësuese për përvojë të vlefshme, me qëllim që t’u shmangemi gabimeve të reja dhe të marrim shembull nga arritjet e së kaluarës.
Nga koha e kryengritjes së vitit 1821, kur arvanitasit luajtën rol kryesor, e deri pesë dekada më parë, janë bërë më shumë se pesëmbëdhjetë përpjekje që të kapërcehen pengesat fetare, që të krijohet një shtet greko-shqiptar, pavarësisht nga feja, ku do të mundnin të bashkëjetonin të krishterët ortodoksë bashkë me katolikët e myslimanët, në emër të gjakut të përbashkët. Të gjitha këto përpjekje kanë dështuar: vëllezërit u bënë armiq, por gjaku i tyre mbetet gjithmonë i gjallë, thërret dhe me të drejtë arvanitasit tanë thonë “gjaku ujë s’bëhet”.
7. Arvanitët, arbëreshët e Italisë
Lufta e arvanitasve kundër turqve forcon më shumë besimin tek ortodoksia, përderisa përpjekja duket se bëhet ndërmjet të krishterëve dhe myslimaneve, që deri diku kështu është në të vërtetë.
Kur në vitin 1534, mbrojtësit e fundit arvanitas të Koronës detyrohen ta braktisin atë, dhe ngarkohen në varkat e Andrea Dorjas që të ngulen në Italinë e Jugut dhe Siçili, kanë marrë me vete, përveç eshtrave të të parëve të tyre, edhe ikonat e Shën Mërisë Udhërrëfyese.
Vaji i Koronës dhe këngët e mërgimit, që deri më sot këndojnë arbëreshet e Italisë, janë tregues i qartë i klimës së asaj kohe dhe të besimit ndaj ortodoksisë.
(Kujtoni Vajin e Koronit)
“Petkat e të mira tona
na i lamë në Korona
Krishtin na kemi me ne
Oj e bukura More.
Thel të fljasë me lot ndër sy
Na t’lipsim oj Arbëri.
Dallandishe e ljare-ljare,
Kur të vishe ti njatër herë
Vjen të vish ti te Korona,
Me nge gjen ti shpit tona
Me nge gjen trima hajdhar,
Po një kjen ce qoft’ i vrar.
Kur u nistin gjithë anitë,
E dherat tan’ iktin ka sitë
Burrat gjith me një shertin
Thrritni gratë me një vajtim:
“Dil e hana, ti Stinji
oj More, oj Arbëri…!
“Mirëpo në Itali, shqiptarët e çrrënjosur gjenden në zemër të katolicizmit. Jo të një feje tjetër kundërshtare, armike, por përballë me një kundërshtar të një doktrine tjetër të një njëjtës fe. Në mënyrë të natyrshme do të duhej të ishin bërë të gjithë katolikë, por kokëfortësia arvanitase, e veçanta arvanitase, i bën që të hapin përsëri luftë dhe shumë beteja të reja që të ruanin besimin ortodoks që kishin trashëguar nga prindërit e të parët e tyre.
Në mes të një deti katolik, ruajtën ortodoksizmin dhe tjetërsimin e veçantë të racës së tyre, derisa një prift i urtë zgjidhi problemin me një marrëveshje ideale kompromisi.
Tashme arvanitasit e Italisë, të njohur si arbëreshë, konsiderohen nga kisha greke “unitë”, dhe përderisa kanë përvojë të hidhur nga unitizmi, si lëvizje e njohur tashmë në botë dhe sidomos në Evropën e Lindjes, i përballon arvanitasit tanë me shumë mosbesim dhe me njëfarë dyshimi, që domosdo e bën atë edhe më të ashpër, përderisa ata ngulin këmbë të ruajnë gjuhën arvanitase.
Jemi të detyruar këtu të theksojmë se në lidhje me gjuhën, ndërsa në Greqi kleri luajti rol të veçantë kundërshtar në ruajtjen e gjuhës, në Itali ngjau krejt e kundërta. Ruajtja e gjuhës, e dokeve dhe zakoneve në këtë vend i detyrohet kryesisht klerit!
Që të kthehemi në Greqi, duhet të theksojmë se shpirti konservator i arvanitasve, mbi bazën e respektit të vlerave të trashëguara, në lidhje me luftërat e papushuara kundër turqve, të cilët ndërkohë ishin pushtues, forconin besimin e tyre tek ortodoksia, se mbrehnin urrejtjen e tyre ndaj turqve.
Si rezultat i atij dyluftimi ishin kryengritjet e njëpasnjëshme dhe të papushuara, deri në kryengritjen fitimtare përfundimtare të vitit 1821, një kryengritje e cila në ato kushte që po zhvillohej ishte e natyrshme të merrte ngjyra dhe karakter të theksuar fetar. Luftëtarët vdisnin për besimin e shenjtë të Krishtit dhe për liri të të krishterëve, dhe të gjitha përpjekjet për të krijuar një front të përbashkët kundër turqve, pa pasur parasysh fenë e gjithsecilit, dështuan.
Gjatë asaj kohe, në vitin 1611, zhvillohej kryengritja e Peshkopit të famshëm Dionisit të Trikës, i njohur dhe si “Skilosofu” (Qen i urtë). Ai kishte prejardhjen nga Paramithia e Thesprotise. Luftoi kundër Osman Pashait të Janinës, i cili edhe ai ishte nga Paramithia: arvanit i krishterë kundër një bashkatdhetari të vet mysliman!
8. Shpirti liberal i popullit tonë
Besimi fetar dhe ideologjitë politiko-shoqërore, mbeten ideale dhe të panjollosura, derisa të identifikohen me ndonjë pushtet. Që në çastin që do te identifikohen me çdo lloj pushteti, bëhen të tmerrshme dhe të rrezikshme.
Tek populli ynë, që në shekujt e lashtë, mbizotëron shpirti liberal dhe i mirëkuptimit ndaj besimeve të ndryshme fetare dhe ideologjive të tjera dhe atë virtyt të pashoq e tregon akoma dhe gjatë kohës së pushtimit turk, kur të krishterë e myslimanë bashkëjetonin në mënyrë harmonike.
Siç na thotë P. Arvadinos në “Kronologjinë e Epirit”, djali i priftit martohet me vajzën e hoxhës, ose një djalë myslimani dhe tjetri i krishterë hanë në të njëjtën tavë, duke ndarë me një vijë me krundi qengji në njërën anë dhe derrin në tjetrën. Bashke festonin Pashkët dhe Ramazanin dhe nuk janë të pakta rastet kur myslimanët dhe të krishterët ndërtonin me punë e përpjekje të përbashkët manastire dhe kisha.
Shën Spiridoni, Shën Donati e Shën Gjergji mbeten shenjtorë edhe të myslimaneve, dhe nuk ishin të pakta faljet dhe dhuratat në ikonizma dhe kisha që vinin edhe nga besimtarë myslimanë.
Këtë shpirt të pashoq dhe të paçmuar të bashkëjetesës dhe të respektit të ndërsjellë të feve të ndryshme, ajo zemërgjerësi madhështore, mjerisht nuk mundi të mbizotërojë në Greqi, përveç vitit të parë të revolucionit, kur të krishterët e myslimanët ishin të vëllazëruar, filluan luftën për të dëbuar turqit, halldupët, domethënë të ardhurit nga Anadolli, të cilët i quanin dhe persianë, siç u kishin vënë emrin disa arvanitas të kulturuar, duke i identifikuar turqit me persët e lashtësisë.
Shumica dërrmuese e popullit të këtushëm dhe sidomos arvanitasit, ishin të krishtere ortodoksë. Kisha u lidh direkt me kuptimin për një Greqi të pastër ortodokse dhe pas revolucionit, ata që ishin myslimanë, në një mënyrë apo tjetrën, u detyruan edhe ata të përqafojnë fenë e krishterë ortodokse, ose u dëbuan.
E vërteta është se banoret e Epirit dhe të Shqipërisë, të cilët u bënë myslimanë, kryesisht të detyruar nga nevoja e mbijetesës, kishin për shumë vjet vetëdijen e trashëgimisë së vjetër kristiane dhe besonin pothuajse në të dyja fetë.
E njëjta gjë ngjau edhe në krahinën e Kosovës, ku mbizotërimi i plotë i fesë myslimane u bë në vitet e fundit, i nxitur nga përvoja e rezistencës ndaj synimeve grabitqare, pushtuese e asimiluese të serbëve.
Megjithëse kaluan mijëra vite, simbolet adhuruese të lashtësisë dhe aktivitetet e ndryshme fetare pagane, prej të cilave shumë kishin kaluar në adhurime dhe faljet e fesë së krishtere, mbijetuan në kujtimin e popullit tonë në mënyrë të admirueshme. Një nga këto elementë është “Epifania” apolloniane e Dilos, që gjejmë në Ujin e Bekuar të krishterimit. Vajet për zbritjen e Persefonit në Ferr, ose të vdekjes së Adonit, ose të Dionisit, do t’i gjejmë në vajtimet e mrekullueshme të Epitafit të Javës se Madhe. Këngët e bukura të ringjalljes na bëjnë të kujtojmë ngjitjen e Persefonit nga Ferri, ose ringjalljen e Adonit dhe të Dionisit. Madje lë mënjanë paralelizmin e virgjëreshës Athina me virgjëreshën Mari, të Apolonit me Shën Gjergjin, të Poseidonit me Shën Kollin etj.
Do te plotësoj dhe do të mbaroj këtë kumtesë, duke bërë fjalë për dy figura të shquara kishtare, që jetuan vitet e fundit; Evlogji Kurilla dhe Fan Noli.
Kurilla ka hartuar e realizuar vepra të rëndësishme për gjuhën arvanitase, në kundërshtim me shumicën dërrmuese të klerikëve të Greqisë, me origjinë arvanitase, të cilët refuzojnë dhe përbuzin referimin në atë gjuhë, më shumë nga mosnjohja, injoranca dhe paragjykimet.
Fan Noli shpalli Kishën Autoqefale Shqiptare. Fan Noli lindi në Trakë dhe pas shumë përpjekjesh të dështuara që të merret vesh me faktorin grek, mori përsipër vetë rolin udhëheqës për të shpallur kishën autoqefale shqiptare, duke dashur të shpëtojë nga politika e Patrikanës, e cila nga njëra anë i donte shqiptarët dhe sidomos ortodokset si grekë, dhe organizonte gjuhësimin helenik të çdo shqiptari ortodoks, por nuk pranonte në asnjë mënyrë myslimanët ose katolikët shqiptarë.
Noli, megjithëse vetë ishte i krishterë ortodoks, tregoi një respekt të admirueshëm ndaj doktrinave dhe feve të tjera, si dhe ndaj udhëheqësve të këtyre feve, duke parashikuar e parashtruar bashkimin e popullit. Këtë historia do ta njohë e do t’i jetë mirënjohës në shekuj.
Besimi dhe ideologjia e njerëzve duhet të jetë e respektuar dhe e pacënuar nga askush. Besime dhe ideologji janë bërë të pranueshme nga populli gjatë shekujve, kanë krijuar, atë që themi Traditë. Janë gatuar me ekzistencën dhe historinë e çdo populli. Ka të ngjarë të vijnë epoka të tjera me fe dhe ideologji të ndryshojnë, por mjerë ata nëse atë ndryshim do ta shoqërojnë me çrrënjosjen dhe hedhjen tej të feve dhe të ideologjive të vjetra si krejt të pavlefshme.
Populli ka aftësinë të mbledhë dhe të kujtojë elementët më të rëndësishëm të cilado feve, besimeve, adhurimi, ose dhe të ideologjisë, dhe t’i përmbushë e shartojë me mendime të reja. Ka mundësi pra, që të mos pajtohemi me besimin, me një ideologji, por duhet t’i respektojmë ato, duke respektuar kështu ata njerëz që i besojnë ato. Këtë na e imponon humanizmi i vërtetë.
Këtë shpreh edhe populli juaj, këtë e tregon ky popull i mençur, si shembull i pashoq dhe i vetëm në botë, si shembull i ndritur në botë, duke bashkëjetuar në vëllazëri të plotë ortodoksët, katolikët, bektashinjtë, alevidet, duke respektuar njeri-tjetrin, fenë e njeri tjetrit, dhe besoj se ajo që është më madhështore dhe unike në botë, është shembulli i njerëzve me kulturë të lartë, dhe kjo pohon mendimin e shkencëtarëve, që ju konsiderojnë bij të vërtetë dhe të pasur të racës pellazgjike.
Shpresoj dhe uroj që bashkësia e shqiptarëve ortodoksë në Greqi do të jetë ruajtëse e patundur e kësaj tradite të vetme në botë, dhe duke mbajtur besimin, do të shpërndajë e përforcojë dashurinë dhe bashkëpunimin vëllazëror me shqiptarët e tjerë, të cilësdo doktrine ose besimi qofshin, dhe kjo duket nga mbledhja e sotme, ku nga sa shikoj, e ndjekin jo vetëm ortodoksë, por edhe katolikë e myslimanë, komunistë, akoma dhe paganistë.
Kjo është bukuria e madhe e popullit tuaj. Ta ruani atë si një relike të vyer në zemrën dhe mendjen tuaj.
Nga Aristidh Kola /Marrë nga gazeta Dita, 15 korrik 2015.
Written by: pradm
Copyright © Radio Atdhetaret - Për të gjithë shqiptaret kudo që janë